Studentja Suada Dida pjesëmarrëse në Forumin e Tretë Rinor Rajonal në Novi Sad


Kemi kënaqësinë të prezantojmë një nga arritjet e studentes Suada Dida. Ajo është në prag diplomimi në Departamentin e Drejtësisë pranë Fakultetit të Shkencave Politike – Juridike (FSHPJ). Pas çmimit të parë si studentja me aftësitë më të mira simuluese të institucioneve të Bashkimit Evropian në konkursin në nivel kombëtar, tashmë aftësitë e saj i ka shpalosur edhe në planin ndërkombëtar.

Suada ishte një nga 25 të rinjtë që përfaqësuan delegacionin shqiptar në Forumin e Tretë Rinor Rajonal në Novi Sad, Serbi (29 – 1 korrik 2018). Forumi u organizua nga Lëvizja Europiane në Serbi me mbështetjen e Fondit Europian për Ballkanin (EFB) dhe Zyrës Rajonale për Bashkëpunimin Rinor (RYCO-s).

Ky aktivitet i përvitshëm mbledh së bashku rreth 200 të rinj nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, të përfshirë dhe të angazhuar në fusha dhe tema që prekin zhvillimin e demokracisë së vendeve të Ballkanit, procesin e integrimit europian dhe bashkëpunimin e ndërlidhshmërinë mes tyre. Rekomandimet dhe përfundimet e dala nga ky Forum do të prezantohen në Samitin e ardhshëm në kuadër të Procesit të Berlinit që do të zhvillohet në Londër.

Arritje të tilla nuk dëshmojnë vetëm profilin individual të një studenti. Për FSHPJ-në dhe UAMD-në arritje si e Suadës identifikohen si urë përcjellëse të emrit tonë në procese kaq të rëndësishme integruese. Tashmë, edhe mendimet e ofruara nga studentja jonë, do të përçojnë elementë të vizionit tonë të përbashkët në Procesin e Berlinit. Faleminderit dhe suksese Suada!