UAMD Nderon me Titullin “Doctor Honoris Causa” Presidentin e Zyrës Supreme të Auditimit të Polonisë, z. Kwiatkowski


Në datë 10 korrik, 2018, Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës (UAMD) nderoi me titullin  “Doctor Honoris Causa”, z. Krzysztof Kwiatkowski, President i Zyrës Supreme të Auditimit të Polonisë (NIK), me motivacionin:

“Për aktivitetin dhe kontributin e spikatur në drejtim të rritjes së kapaciteteve profesionale të audituesve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, modernizimin e këtij Institucioni, si dhe rritjen e eficencës, transparencës dhe përgjegjshmërisë në përdorimin e fondeve publike, në mënyrë që auditimi në Shqipëri të arrijë standardet e Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit.”

Z. Krzysztof Kwiatkowski është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Varshavës dhe ka një karrierë të pasur profesionale dhe politike. Ai ka qenë aktivist i Sindikatës së Pavarur të Studentëve, si dhe pjesë e bordit drejtues të kësaj organizate. Ndërsa nga viti 1997 deri në vitin 2001, ka punuar si Këshilltar dhe Sekretar i Kryetarit të Këshillit të Ministrave, z. Jerzy Buzek.

Në vitin 2006, z. Kwiatkowski  është zgjedhur anëtar i Kuvendit të Provincës së Łódź-it, ku ka mbajtur pozicionin e Zëvendës-Kryetarit të Kuvendit.

Në vitin 2007, është zgjedhur Senator i Qarkut të Łódź-it, ku ka shërbyer si Kryetar i Komisionit Ligjor të Senatit.

Në tetor 2009 z. Kwiatkowski është emëruar Ministër i Drejtësisë dhe Prokuror i Përgjithshëm i Polonisë.

Në korrik 2013, Dhoma e Ulët e Parlamentit Polak e ngarkoi atë me detyrën e rëndësishme të Presidentit të NIK-ut.

Në këtë post të rëndësishëm, z. Kwiatkowski ka dhënë kontribut në promovimin e marrëdhënieve mes Kontrollit të Lartë të Shtetit në Shqipëri dhe Zyrës Supreme të Auditimit të Polonisë.  Ky bashkëpunim i frytshëm është zhvilluar më tej edhe përmes pjesëmarrjes në projekte ndërkombëtare të përbashkëta, të cilat kanë hedhur baza të shëndosha për përdorimin me efektivitet, transparencë dhe përgjegjshmëri të fondeve publike në vendin tonë.

Mirë se erdhe në familjen e madhe UAMD, z. Kwiatkowski!