UAMD dhe WPS, marrëveshje për promovimin e grave në vendimmarrje


Në datë 16 korrik, 2018, Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës (UAMD) nënshkroi një Marrëveshje Bashkëpunimi me Qëndrën “Gratë në shërbimin publik” (Women in Public Service – WPS).

Memorandumi i nënshkruar nga znj. Rektore e UAMD-së, Prof. Dr. Kseanela Sotirofski dhe Drejtori Ekzekutiv i WPS-së, znj. Mimoza Hajdarmataj, ka në fokus angazhimin e përbashkët të palëve për të krijuar mundësi të reja për nxitjen dhe inkurajimin e të rinjve, veçanërisht të vajzave studente që nëpërmjet edukimit dhe aftësimit profesional, të aspirojnë për t’u bërë pjesë e shërbimit publik dhe e vendimmarrjes publike në përgjithësi.

Për znj. Rektore të Universitetit nënshkrimi i kësaj marrëveshje është i një rëndësie të veçantë për promovimin e arritjeve shoqërore, ekonomike, kulturore, politike e personale të gruas shqiptare, si dhe forcimin e pozitave të saj. “Në UAMD e njohim dhe vlerësojmë rolin e gruas. 68 përqind e stafit tonë akademik janë gra. Përpos Rektores, 2 prej tyre janë dekane, 15 të tjera përgjegjëse departamenti. Po ashtu, me shumë se gjysma e drejtuesve të administratës në Universitetin janë gra. Ne do të vazhdojmë t’i mbështesim vazhdimisht këto zonja”, u shpreh ajo.

Znj. Hajdarmataj u shfaq “shumë optimiste për nënshkimin e këtij Memorandumi me Universitetin e dytë më të madh në vend dhe u shpreh e bindur për promovimin e përfshirjen në vendimmarrje të të rejave të afta, me cilësi konkuruese dhe të përkushtuara”. “Vetëm tek arsimi dhe edukimi është burimi i të gjitha të drejtave dhe zhvillimit të grave në shoqëri”, theksoi ndër të tjera ajo.

Marrëveshja e nënshkruar parashikon realizimin e seminareve dhe të leksioneve të hapura të përbashkëta për rritjen e ndërgjegjësimit të vajzave në proceset më të rëndësishme të vendit dhe forcimin e rolit të tyre në këto procese; organizimin e punëtarive (workshop-eve) me pjesëmarrjen e studenteve vajza të fakulteteve përbërëse të UAMD-së; shkëmbimin e përvojës së dyanshme të të palëve në lidhje me manaxhimin institucional dhe për kryerjen e praktikave mësimore të studentëve; organizimin e leksioneve të përbashkëta të hapura në fushën e promovimit të rolit të gruas në shoqëri nga specialistët e WPS-së; etj.