#HistoriSuksesi/ “Studimi në UAMD është një investim, i cili të shpërblen shumë dhe shpejt”


“Jam Valeria Bardhaj. Kam përfunduar me sukses ciklin e studimeve Bachelor në Menaxhim Marketing dhe Masterin Shkencor në Administrim Publik. Shpresoj të më krijohet mundësia që të ndjek edhe ciklin e tretë të studimeve pranë UAMD-së.

Aktualisht jam lektore pranë Fakultetit të Sigurisë dhe Hetimit të Krimit, pjesë e Ministrisë së Drejtësisë, si dhe shqiptarja e vetme pjesë e Stafit Drejtues të Agjencisë EADRCC në NATO, e cila trajnon administratën publike të shteteve anëtare në menaxhimin e krizave. Unë jam trajnere e komunikimit në kohë krizash dhe menaxhimit të rrjeteve sociale. 

Kam patur ngahera një dashuri të madhe për marketingun, ndonëse rreth 7 vite më pare, kur unë e zgjodha, nuk ishte një degë e preferuar si sot. Mbaj mend se sapo kisha përfunduar studimet në Gjimnazin Publik “Qemal Stafa” dhe ndodhesha përballë një formulari aplikimi në të cilin renditeshin të gjithë universitetet/fakultetet në vend. Vura re se UAMD-ja kishte degën time të preferuar dhe “gugëllova” sakaq universitetin. Faqja zyrtare kishte dëshmi të përkushtimit të stafit akademik dhe një sërë infomacionesh të vlefshme për studentët. Praktikisht e ndjeja që kjo ishte një zgjedhje shumë e mirë dhe në 5 vitet e studimit në UAMD e vërtetova këtë më së miri.

Të jem e sinqertë UAMD-ja për mua nuk ka qenë veçse një universitet. Kur një kryeqytetas nuk zgjedh të studiojë në universitetin e Tiranës, njerëzit të shohin vengër, nuk të japin kurajo t’ia dalësh, të demoralizojnë duke ta bërë çdo gjë të vështirë. Më besoni që nuk është kështu. Studimi në UAMD është një investim pozitiv, i cili ka shpërblim shumë të madh dhe më të sshpejtë sesa investimi akademik në universitetet e tjera në vend.

Dita e parë e fakultetit për mua ishtë një mësim i mirë, pasi më duhet të merrja vendimin e parë për veten: të përshtasja orarin mësimor. Kjo gjë që më bëri të kuptoj se isha në një universitet ku mendimi dhe zgjedhja ime vlerësoheshin. Kuptova se në çdo vend ku duhet të punoj, apo edhe gjatë jetës, mendimi dhe zgjedhja ime kanë rëndësi. Në ditët në vazhdim mësova të menaxhoja kohën, gjë kjo që më ka bërë të jem tejet e përpiktë dhe korrekte me afatet që eprorët e mi më vendosin për realizimin e detyrave.

Gjatë studimit në UAMD unë u forcova si karakter, krijova personalitetin tim, mësova të komunikoj në mënyrë zyrtare me pedagogët përmes një adrese e-maili të dedikuar në web-in zyrtar të UAMD-së, njësoj siç komunikoj sot me eprorin tim apo partnerët ndërkombëtarë. Në vazhdim krijova raporte korrekte me pedagogët ç’ka më ndihmoi të kuptoj mënyrën më të mirë të të sjellurit në auditor dhe jo vetëm.

Në UAMD kam punuar për herë të parë në grup duke mësuar dhe kuptuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe frymës së grupit. Gjë që sot më ndihmon në bashkëpunimin e efektshëm me kolegët dhe struktura të ndryshme në institucione brenda dhe jashtë vendit.

Praktikisht unë isha “kalitur” në UAMD shumë më tepër se bashkëmoshatarët e mi gjetkë. Kisha zgjedhur një institucion ku mësimi zhvillohej me rigorozitet dhe ku praktikisht mësoje se çdo njeri që merr një detyrë përsipër ka përgjegjësinë për ta përmbushur atë.

Mbaj mend fare mirë se UAMD-ja kishte një bibliotekë dhe në të gjithë projektet apo detyrat e kursit pedagogët na këshillonin që të përdornim literarurën e saj, mënyre pune që sot më ndihmon në hulumtimin, mbledhjen dhe organizimin e informacionit për konferenca shkencore apo aktivitete të tjera.

Një gjë që dua të veçoj është përgatitja e stafit akademik dhe mbi të gjitha komunimimi i tyre me studentët. Qytetaria dhe dashamirësia ishin vlera e tyre e shtuar. Për çdo pyetje apo problem ata kanë qenë gjithnjë të gatshëm të përgjigjeshin në kohë dhe të më ndihmonin. Ata janë modeli që unë ndjek me auditorin tim sot.

Për të gjitha sa më sipër, të zgjedhësh UAMD i ke dhënë vetes një hapësirë mundësish për formim akademik dhe rritje profesionale. Po ashtu të kesh komunikim me pedagogun është një nga gjërat kryesore për arritjen e rezultateve të larta, si dhe për të nxënë dije aty ku ke zbrazëti. Metodat e mësimdhënies janë bashkëkohore dhe çdo student arrin ta përvetësojë materialin mësimor që në auditor. Por kam vetëm një këshillë për të gjithë studentët: Rebelohuni me gjithkënd, por jo me shkollimin, pasi është e ardhmja, është procesi më i rëndësishëm i formimit të gjithkujt.”

Valeria Bardhaj

Bachelor në Menaxhim Marketing
Master Shkencor në Administrim Publik