Fakte dhe Shifra


  • Burime që dalin nga arkivat dhe bibliotekat e Kuvendit Françeskan dhe Kuvendit Domenikan në Dubrovnik, përveç njoftimeve të rëndësishme për historinë e moçme, ofrojnë edhe njoftime për të parin universitet në Ballkan, Universitetin e Durrësit (“Studium generale“, në vitet ’80, të shek. XIV), universitet ky i themeluar nga dominikanët durrsakë, që vepronin prej vitit 1224 në Kuvendin e Shën Maurit në Durrës.
  • Tashmë është i njohur fakti se profesori Gjon Durrsaku kishte vajtur në Zarë dhe atje ishte caktuar si rektori i parë i  Universitetit të Zarës (1396).
  • Në Universitetin e Zarës thuhet, shprehimisht, se “Rektori i parë ishte Gjon Durrsaku, qëkur Universiteti i Durrësit u zhvendos në Zarë për shkak të kërcënimit turk në Europën Juglindore”.
  • Ndre Durrsaku (mesi shek. XIV-13 qershor 1393), një tjetër profesor i Universitetit të Durrësit, që po zbulohet rishtazi, i njohur edhe si doktor i shkencave teologjike (Universiteti i Bolonjës, 1380), në vitin 1387, qe emëruar arqipeshkëv i Arqipeshkvisë së Raguzës.
  • Universiteti “Aleksandër Moisiu”, Durrës, është themeluar me Vendim të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, Nr. 801, datë 20.12.2005 “Për hapjen e Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës”.
  • Universiteti çeli dyert për herë të parë në vitin akademik 2006-2007 me rreth një mijë studentë nga i gjithë vendi. Sot universiteti numëron rreth 20 mijë studentë në të tre ciklet e studimit.
  • Me hapjen e Universitetit “Aleksandër Moisiu”, Qeveria Shqiptare nuk kishte për qëllim hapjen e një institucioni të ri në vend, por hapjen e një institucioni ndryshe, i cili do të sillte eksperiencat më të mira akademike perëndimore.
  • Filozofia e punës në UAMD  është “studenti në qendër të vëmendjes”, që do të thotë se gjithçka që ndodh në universitet që nga procesi mësimor, shërbimet, aktivitetet dhe mjetet janë në shërbim të studentit. Kjo bëhet e mundur, nëpërmjet një stafi dinamik të zgjedhur dhe të përkushtuar, një ambjenti të kompjuterizuar që mundëson kontakte të vazhdueshme me botën akademike perëndimore dhe nëpërmjet veprimtarive të larmishme ekstrakurrikulare.
  • Mënyra e zhvillimit të procesit mësimor, procedurat e kontrollit të dijes, rekrutimi i stafit akademik, këshillimi i studentëve, shërbimi i bibliotekës e mbi të gjitha kërkimi shkencor kanë si qëllim realizimin e një përvoje akademike unike në vend, që nuk përjashton asnjë element domethënës të universiteteve evropiane dhe atyre amerikane.
  • Një risi e Universitetit “Aleksandër Moisiu” , por edhe e të gjithë sistemit të arsimit të lartë në vend është hapja në vitin akademik 2008-2009 e Fakultetit të Studimeve të Integruara me Praktikën (FASTIP). Ky fakultet është produkt i një projekti të përbashkët i qeverisë gjermane dhe asaj shqiptare, me qëllim ndërtimin e një fakulteti bazuar në përvojën më të mirë në fushën e ekonomisë dhe të menaxhimit të akademisë profesionale në Banden-Wurtemberg në Gjermani. Karakteristika dalluese në këtë fakultet është kombinimi i vazhdueshëm i njohurive teorike me praktikën në kompani të ndryshme sipas fushës së studimit. Mësimdhënia në këtë fakultet zhvillohet nga profesorë ndërkombëtarë dhe ekspertë në fushave përkatëse.
  • Në vitin akademik 2009-2010, Universiteti “Aleksandër Moisiu” u zgjerua me një filial në qytetin e Peshkopisë, ku studionin 800 studentë. Në Filialin e Peshkopisë u hapёn programe studimi të ciklit të parë të të tri njësive kryesore të universitetit të vendosura në Durrës.
  • Me vendim të Këshillit të Ministrave nr. 685, datë 25.08.2010 “Për riorganizimin e Universitetit “Aleksandër Moisiu”, Durrës, në fillim të vitit të ri akademik 2010-2011, universiteti u zgjerua dhe me dy fakultete të reja, Fakultetin e Shkencave Politike-Juridike dhe  Fakultetin e Teknologjisë së  Informacionit. Gjithashtu, u riorganizuan njësitë kryesore të universitetit duke bërë të mundur që sot, në  përbërje të tij të jenë 6 fakultete: Fakulteti  i Biznesit, Fakulteti i Edukimit, Fakulteti i Teknologjisë së  Informacionit, Fakulteti i Shkencave Politike-Juridike, Fakulteti i Studimeve Profesionale, Fakulteti i Studimeve të Integruara me Praktikën (FASTIP).