Fakulteti i Studimeve të Integruara me Praktikën


Dekan

Doc. Vladimir Muka

Administrator

Edlira Nova (Çollaku)

Fakulteti i Studimeve të Integruara me Praktikën (FASTIP)

Fakulteti i Studimeve të Integruara me Praktikën (FASTIP) është hapur me Vendim të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, nr.827, datë 11.06.2008, “Për hapjen pranë Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës të “Fakultetit të Studimeve të Integruara me Praktikën (FASTIP) dhe për mënyrën e funksionimit në periudhën kalimtare“. Bazuar në këtë Vendim, FASTIP ka funksionuar si një nga fakultetet e Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës por me status autonom. Mbas përfundimit të këtij afati, Senati Akademik i Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës, me Vendim nr. 20, datë 12.10.2016, vendosi që ky Fakultet të përshtatet si një nga njësitë kryesore të UAMD-së bazuar në nenin 129 të Ligjit Nr.80/2015, datë 22.07.2015 “Për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë”.

FASTIP hapi dyert për herë të parë në vitin akademik 2008-2009 me departamentin Menaxhim i Bankave me kompani partenere Bankën Kombëtare Tregtare (BKT).  Si bazë për ngritjen e FASTIP-it është marrë përvoja më e mirë Gjermane e Akademive Profesionale të Landit Baden-Württemberg (DHBW), Gjermani.

Karakteristikë thelbësore e këtij fakulteti ç’ka përbën edhe filozofinë e tij të funksionimit është: “ integrimi i njohurive akademike të fituara në auditoret e  fakultetit me trajnimin profesional drejtpërdrejtë në sipërmarrje (arsimimi dual)”. Menjëherë pas përfundimit të programit tre vjeçar të studimit, studenti i FASTIP merr në dorë:

  • Diplomën Bachelor(diplomë me 180 kredite (ECTS) lëshuar nga Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës), e cila i lejon të vazhdojë studimet në programe Master brenda apo jashtë vendit, apo punësimin kudo në botë.
  • Kontratën e punësnga kompania ku ka zhvilluar trajnimin profesional për tre vite me rradhë në bazë performance akademike dhe punë praktike.

Sot Fakulteti numëron 235 studentë të diplomuar nga të cilët 99% të punësuar menjëherë me kontratë pune pranë kompanive mbështetëse ku janë trajnuar gjatë tre viteve studimi në FASTIP.

Partneriteti Kompani-FASTIP-Student vetëm sa është përforcuar vit pas viti. Kështu, përveç Bankës Kombëtare Tregtare, partnerit me mbështetjen më të madhe për studentët e programit Menaxhim i Bankave, është Vodafone Albania kompania më e madhe e telefonisë celulare në vend e cila mbështet, trajnon dhe financon studentë të programit Menaxhim i Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme dhe Harmonia Hotels-Group mbështetëse e studentëve të Hoteleri-Turizmit.

Fakulteti përbëhet nga këto departamente:

  • Menaxhim i Bankave,
  • Menaxhim i Hoteleri-Turizmit,
  • Menaxhim i Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme.

Programet që Fakulteti i Studimeve të Integruara me Praktikën (FASTIP) ofron janë:

Tre programe studimi me kohë të plotë në Ciklin e Parë të Studimeve në:

  1. Menaxhim i Bankave,
  2. Menaxhim i Hoteleri-Turizmit,
  3. Menaxhim i Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme.