UAMD Nënshkruan Marrëveshje Bashkëpunimi me Autoritetin Portual Durrës


Në kuadër të zgjerimit të marrëveshjeve ndërinstitucionale, më datë 25 janar 2018, Universiteti “Aleksandër Moisiu” firmosi një memorandum bashkëpunimi me Autoritetin Portual Durrës (APD).

Marrëveshja u firmos nga Rektorja e UAMD-së, Prof. Dr. Kseanela Sotirofski dhe Drejtori Ekzekutiv i APD-së, Artjan Qirici. Të pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit ishin edhe Prefekti i Qarkut Durrës, z. Roland Nasto si dhe Dekani i Fakultetit të Studimeve Profesionale në UAMD, Prof. As. Dr. Osman Metalla.

Marrëveshja synon të krijojë lehtësira për kryerjen e praktikave dhe proceseve mësimore të studentëve të UAMD-së pranë ambienteve, terminaleve dhe kalatave te Portit Durrës; organizimin e aktiviteteve të përbashkëta në kërkim shkencor kryesisht në fushën e menaxhimit portual, operacioneve portuale, mbrojtjen e mjedisit detar si dhe çdo çështje tjetër që lidhet me fushën e operimit, efiçiencës dhe efektivitetit portual dhe të navigimit detar, etj.

Ky nënshkrim është një tjetër hap përpara për përmbushjen e një ndër objektivave madhorë të Universitetit për krijimin e marrëdhënieve të qëndrueshme me tregun e punës nëpërmjet bashkëpunimit me operatorët e ndryshëm nga sektori detar, transporti, energjia, ndërtimi, shërbimet etj.

Në përfundim të marrëveshjes, Departamenti i Shkencave Inxhinierike dhe Detarisë në UAMD dhe Autoriteti Portual Durrës organizuan një seminar të përbashkët mbi perspektivat e zhvillimit të Portit të Durrësit.

Përmes tij, studentët e degës Navigacion dhe Menaxhim Detar patën mundësi të merrnin njohuri mbi sektorin Portual si dhe sfidat e zhvillimit të Portit të Durrësit, si porti më i madh në vend.