UAMD, Marrëveshje bashkëpunimi me Akademinë e Sigurisë


Në kuadër të zgjerimit të marrëveshjeve ndërinstitucionale, më datë 6 shkurt 2018, Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës ka firmosur një marrëveshje bashkëpunimi me Akademinë e Sigurisë.

Të ndërgjegjshëm për nevojën e vendosjes së bashkëpunimit në fushën e mësimdhënies, kërkimit shkencor dhe fushave të tjera me interes të përbashkët, memorandumi u nënshkrua nga Rektorja e UAMD-së, Prof. Dr. Kseanela Sotirofski dhe Rektori i Akademisë së Sigurisë, Drejtues i Lartë, Dr. Bilbil Memaj.

Ndër të tjera të dy institucionet ranë dakord për:
• Shkëmbimin e stafit akademik
• Organizimin dhe mbështetjen respektive në lëmin kërkimor-shkencor
• Organizimin e përbashkët të konferencave shkencore dhe seminareve akademike etj.

Pas hedhjes së firmave Dr. Memaj dhe Prof. Dr. Sotirofski patën mundësi të vizitonin Kolegjin e Policisë, Fakultetin e Akademisë së Sigurisë, si dhe Muzeun e këtij institucioni.

Marrëveshja i shtohet tre të tillave të firmosura këtë fillimviti, si dhe dhjetëra të tjerave të nënshkruara gjatë viteve 2016-2017. Bashkëpunimet me institucione të rëndësishme kombëtare dhe ndërkombëtare konfirmojnë progresin e bërë nga UAMD-ja dhe vizionin për të qenë universitet lider në vend.