Histori Suksesi: Jonada Mamo, Studentja që u bë Pedagoge; Pedagogia që po Ndryshon Durrësin


Ne çamët themi:“Jam çam 24 karatësh!” Jam lindur e rritur në Durrës. Që nga koha e gjimnazit kam qenë pjesëmarrëse e rregullt e olimpiadave shkencore, aktiviste e nismave qytetare dhe senatore e kryesenatore e shkollës sime. Një thirrje e brendshme gjithmonë më ka shtyrë të ndihmoj qytetarin tim/ komunitetin. Më kujtohet para shumë vitesh, kur Ministri i atëhershëm i Turizmit bëri thirrje për të pastruar vendin. Kaq më mjaftoi. Lajmërova klasën, nisa organizimin dhe së bashku pastruam Shkozetin. Diçka e vogël bërë me dashuri të madhe.

Kur erdhi koha për të vendosur për Universitetin doja të ndiqja studimet për Industri Farmaceutike jashtë vendit. Kur kjo nuk u mundësua, për arsye që nuk vareshin nga unë, m’u desh të zgjidhja mes Fakultetit të Biznesit në UAMD dhe atij të Ekonomisë në Tiranë. Me këshillën e prindërve zgjodha UAMD-në. Nisa studimet, por ideja për të shkuar e studiuar jashtë më qëndronte çekan mbi kokë, derisa profesorët e UAMD-së, sidomos të rinjtë me ambicje të shëndoshë e vizionarë, më mbushën mendjen që duhet të qëndroja.

Kam qenë gjithnjë studente ekselente. Në vitin e dytë nisa të angazhohem edhe me nisma të tjera. Kam qenë moderatore dhe pjesëmarrëse e Konferencës së Parë Shkencore për Studentë. Po atë vit, UAMD-ja do të merrte pjesë për herë të parë në SIFE (Students in Free Enterprise). Unë isha pjesë e ekipit. Mes dhjetëra universitetesh private e publike, universiteti më i ri publik në vend do të zinte vendin e tretë. Të surprizuar për çmimin që në pjesëmarrjen e parë, organizatorët na shpërblyen edhe me çmimin “Rocky of the year”. Ky ishte çasti që ndryshoi krejtësisht marrëdhënien time me Universitetin. Që nga ajo kohë në UAMD ndihem si në familje.

Pas masterit e studimeve doktorale, më është rritur shumë ndjenja e përgjegjësisë. Studentëve u mësoj teori dhe praktikë; i rekomandoj ata për të gjetur një vend pune (dhe kjo ka ndodhur disa herë). Në orën e parë të çdo kursi u them që “nëse bëjnë punën që duan, nuk do të punojnë asnjë ditë”. Ata e vlerësojnë prakticitetin dhe ndihen të frymëzuar.

Angazhimi im është i lidhur ngushtë edhe me detyrën time si Anëtare e Këshillit Bashkiak në qytetin e Durrësit. Aty jam themeluese dhe pjesëtare e Aleancës së Grave Këshilltare. Bashkë me këto zonja të nderuara kemi ndihmuar familjet e fëmijëve me probleme. Lobojmë çdo ditë për çështje të rëndësishme si të siguruarit e një strehe për gratë e dhunuara, apo kërkesa për uljen e taksave për kryefamiljaret që rritin fëmijët të vetme.

Jam e sigurtë që UAMD-ja do të përmirësohet çdo ditë e më shumë dhe do të diplomojë studentë që do të jenë pjesë e vendimmarrjes dhe do të japin kontribut në arsim, kulturë dhe zhvillimin infrastrukturor e ekonomik të qytetit e mbarë Shqipërisë”.

Dr. Jonada Mamo
Alumni e UAMD-së
Pedagoge në Fakultetin e Biznesit në UAMD
Anëtare e Këshillit Bashkiak Durrës
#NeJemiUAMD #HistoriSuksesi