Inaugurohet Klinika e Ligjit në UAMD


Universiteti “Aleksandër Moisiu” dhe Fondacioni “Shoqëria e Hapur për Shqipërinë” kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit për çeljen e Klinikës Ligjore pranë këtij institucioni arsimor. Projekti që mbështetet nga Lëviz Albania dhe Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim krijon qendrën e specializuar, e cila do të ofrojë ndihmë juridike falas dhe shërbime të drejtpërdrejta për të gjithë qytetarët.

Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes ishin të pranishëm Rektorja e Universitetit Prof. Dr. Kseanela Sotirofski, Dekani i Fakultetit të Shkencave Politike-Juridike, Prof. As. Dr. Andon Kume, Drejtoresha Ekzekutive e projektit Lëviz Albania Znj.Valbona Kuko, përfaqësuesi i Ambasadës së Zvicrës Z.Sokol Haxhiu, pedagogë dhe studentë të Drejtësisë.

Gjatë fjalës përshëndetëse, Drejtoresha e LevizAlbania, Znj. Kuko, duke e vlerësuar tepër të rëndësishme dhe nevojshme nismën e “Klinikave Ligjore”, të zbatuar nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, theksoi se klinka e Durrësit është e dyta që po hapet në kuadër të mbështetjes së dhënë nga LevizAlbania dhe e katërta në total që fondacioni ka ngritur në mbarë vendin, për t’i ofruar asistencë dhe ndihmë ligjore qytetarëve.

Dekani i Shkencave Politike dhe Juridike të Universitetit, Z. Andon Kume shprehu mirënjohen për mundësinë që Fondacioni Shoqëria e Hapur dhe Lëviz Albania po i krijojnë studentëve dhe universitetit. “Hapja e Klinikës Ligjore ka qenë një objektiv i rëndësishëm dhe një domosdoshmëri për ngritjen e kapaciteteve të studentëve. Deri dje ka qenë e pamundur për shkak të mungesës së fondeve, përtej deshirës sonë”, u shpreh Z. Kume.

“Pa frikë do ta cilësoja klinikën një aset për studentët e Universitetit, për qytetarët e Durrësit dhe sigurisht të gjithë ata qytetarë apo organizata që janë në nevojë për këshilla ligjore, por që pamundësia ekonomike ua ka renduar edhe më shumë barrën e problemeve të pazgjidhura. Nëpërmjet klinikave ligjore do të garantohet që në të gjithë territorin e vendit të ofrohet ndihmë juridike falas për litigimin e çështjeve me interes publik si dhe nga do të mundësohet aftësimi në praktikë i studentëve të drejtësisë”, tha znj. Kuko.

Përfaqësuesi i Ambasadës Zvicerane Z. Sokol Haxhiu, u ndal tek mbështetja e qeverisë zvicerane, e cila përmes projektit Lëviz Albania, mbështetjen e saj për nismat që garantojnë barazi dhe drejtësi për qytetarët e ka shpërndarë në pothuajse të gjithë territorin e vendit tonë. “Klinikat Ligjore i kemi vlerësuar të rëndësishme dhe kemi shprehur mbështetjen për krijimin e tyre pa hezitim. Duam që të ndihmojmë qytetarët në nevojë, por edhe të krijojmë një histori suksesi në përgatitjen profesionale të studentëve të rinj të drejtësisë”, tha ai.