Të qenit ndryshe brenda kontekstit shqiptar: Përvoja të fëmijëve me aftësi ndryshe


Lektoret e Fakultetit të Edukimit, Dr. Mirjam Reçi dhe Kalie Kërpaçi, në bashkëpunim me studentët e vitit të dytë të degës Psikologji-Sociologji dhe Arsim Fillor, zhvilluan leksionin e hapur me temë “Të qenit ndryshe brenda kontekstit shqiptar: Përvoja të fëmijëve me aftësi ndryshe”

Të ftuar në panel ishin Dr. Blerina Shalari, studiuese pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike, e cila ndau me studentët  përvojën e saj personale si individ me nevojë të veçantë dhe z. Jetmir Hoxha, punonjës social pranë Qendrës Rezidenciale të Zhvillimit në Durrës. Pjesë e panelit ishin dhe studentet Olivia Gabaj, Anxhela Daja dhe Algiligi Takaci.

Studentet shprehën mendimet e tyre rreth librit  “Mes dhimbjes dhe dashurisë” të autorit Edmond Tupe, i cili trajton sfidën e një prindi me një fëmijë autik. Në aktivitetit u shfaq gjithashtu një film me metrazh të shkurtër. Në qendër të tij ishte historia e një një djali me vështirësi në të nxënë, i cili ndihej i braktisur nga familja dhe shkolla. Një prej mësuesve arrin të zbulojë talentin e tij për të aktruar përmes gjuhës së trupit. Mesazhi i filmit i referohej faktit që ne shpesh fokusohemi tek aftësitë që fëmijët me nevoja të veçanta i kanë më pak të zhvilluara duke lënë në hije zhvillimin e aftësive të tjera të tyre.

Në fund të aktivitetit studentët morën pjesë në një diskutim të hapur lidhur me tematikën e leksionit. Ata të inkurajuar edhe nga referimi i punonjësi social, z. Jetmir Hoxha shprehën interesin dhe dëshirën për të realizuar një vizitë tek Qendra Rezidenciale e Zhvillimit në mënyrë që të njihen më nga afër me fenomenin e të qenit ndryshe brenda kontekstit shqiptar.

Studentja Olivia Gabaj, pas dëgjesës së kumtesës së Dr. Blerina Shalari, e cila foli për përballjen e saj me shoqërinë shqiptare si një person me mungesë të plotë shikimi, u shpreh se “tanimë mendon se nuk ka justifikim për studentët të thonë se leksionet janë të vështira”. Ndërsa një tjetër studente theksoi faktin që “njerëzit duhet të futen në  botën e personave me nevoja të veçanta për të kuptuar më mirë nevojat e tyre dhe vëndin e tyre brenda realitetit shqiptar”. Ajo rrëfeu për miqësinë e saj me një shok, i cili ka mungesë të plotë në dëgjim dhe në artikulimin e fjalëve. Pasi mësoi gjuhën e shenjave, ajo kuptoi se sa botë të madhe kishte miku i saj dhe sa shumë indiferente kishte qenë kundrejt botës së tij.

Aktiviteti u mbyll me thirrjen për pranimin dhe integrimin gradual të fëmijëve me nevoja të veçanta në shoqërinë shqiptare si dhe rëndësinë e zhvillimit të ndjenjës së empatisë kundrejt personave në nevojë dhe shpeshherë të izoluar nga shoqëria shqiptare.