Akademikët e UAMD-së Pjesëmarrës në “Javën e Parë Ndërkombëtare të Erasmus + Credit Mobility”


Në datat 5 – 8 mars 2018, Dekani i Fakultetit të Studimeve Profesionale Prof. As. Dr. Osman Metalla së bashku me Dr. Arian Dedej, morën pjesë në “1st International Credit Mobility Week” të organizuar nga Universiteti i Valencias në kuadrin e programit Erasmus + ku bën pjesë si partner dhe Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës.

Gjatë kësaj jave ata  patën mundësinë të merrnin pjesë në një sërë aktivitetesh të organizuar nga Universiteti i Valencias. Ndër të tjera, akademikët e UAMD-së zhvilluan një takim me zëvendës-rektorin e Universitetit ku u diskutua për ndërkombëtarizimin dhe thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve.

Universiteti i Valencias është një ndër më të mëdhenjtë në Spanjë me një numër të madh programesh në shumë disiplina. Ai numëron mbi 40.000 studentë, ka 6 fakultete të ndryshme në përbërje të të cilëve janë 84 departamente. Në këtë universitet numërohen rreth 2600 mobilitete studentësh, ndërsa në programet master dhe doktoraturë studiojnë afro 1800 të huaj. Universiteti i Valencias dallohet gjithashtu për jetën aktive dhe të larmishme studentore.

Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës tashmë është një institucion i konsoliduar akademik dhe përmes bashkëpunimeve ndërkombëtare po hedh hapa të sigurtë përpara për forcimin e kapaciteteve akademike, institucionale, si dhe për përmirësimin e jetesës studentore.