“Jemi të Barabartë”, Ambasadori Suedez në Forumin e UAMD-së


Më datë 9 mars, Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës pati kënaqësinë të kishte të ftuar nderi Ambasadorin e Suedisë në Shqipëri, SH.T.Z Johan Ndisi. Ai ishte i ftuar special i Fakultetit të Edukimit për të folur rreth barazisë gjinore në forumin tematik “Jemi të Barabartë”.

Në fjalën e tij z. Ndisi i mëshoi faktit se “të drejtat e grave dhe vajzave janë të drejta të njeriut dhe se barazia gjinore i bën shoqëritë të lëvizin përpara”.

Forumin e përshëndeti edhe rektorja e UAMD-së, Prof. Dr. Kseanela Sotirofski, e cila ndër të tjera theksoi rëndësinë e forcimit të pozitës së gruas në shoqëri. “Kur përfshijmë gratë, gjëra të mëdha ndodhin. Qofshin politikane, akademike, sipërmarrëse, artiste, ose thjesht vetëm nëna, tek të gjitha keto gra sheh dashuri, dhembshuri, motivim, pikërisht ç’ka duhet për ta bërë botën një vend më të mirë”, u shpreh ajo.

Znj. Sotirofski po ashtu bëri me dije faktin se 68 përqind e stafit akademik në UAMD janë gra. Më konkretisht, 2 prej tyre janë dekane dhe 15 të tjera përgjegjëse departamenti. Po ashtu, me shumë se gjysma e drejtuesve të administratës në Universitet janë gra.

Forumi u organizua në partneritet me AWEN, një organizatë që punon për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të grave dhe përparimin e çështjeve të barazisë gjinore në Shqipëri.