UAMD, Marrëveshje Bashkëpunimi me Universitetin Yangzhou në Kinë


Në datat 25-31 Mars një delegacion i nivelit të lartë arsimor nga qyteti i Durrësit, Tiranës dhe Vlorës vizituan Kinën me ftesë të Ambasadës së Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri. Delegacioni i kryesuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë Z. Koli Bele, përbëhej nga Rektori i Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës, Prof. Dr. Kseanela Sotirofski; Rektori i Universitetit të Vlorës Prof. Dr. Roland Zisi; Rektori i Universitetit të Arteve Prof. Dr. Kastriot Çaushi; Drejtori i Institutit Konfuci-UT, z.Erion Malaj; Këshilltari i Kryetarit të Bashkisë Vlorë, z. Jeton Puka; Drejtori i Shkollës së Mesme publike “Ali Demi” Vlorë, z. Roland Dervishi;
Përfaqësuese e Ambasadës së R.P. të Kinës në Shqipëri, Znj. Yljana Ylli.
Qëllimi i kësaj vizite ishte për të krijuar mundësi bashkëpunimi midis këtyre Institucioneve dhe Institucioneve arsimore në Kinë, duke shtuar kështu bashkëpunimet e reja dy palëshe.

Takimi i parë u zhvillua në BFSU, universitet partner i Universitetit të Tiranës dhe universitetit “Ismail Qemali” Vlorë. Kryetari i delegacionit z. Bele dhe Rektori i BFSU-së Prof. Dr. Peng Long vlerësuan zhvillimin e Institutit Konfuci -UT dhe interesin e studentëve tanë ndaj gjuhës Kineze, si dhe promovimin e gjuhës shqipe në auditorët e Universitetit BFSU në Pekin. Më pas delegacioni zhvilloi një takim me studentët kinezë të Gjuhës Shqipe, me drejtoreshën e Marrëdhënieve me jashtë Prof. Dr. Ke Jing, me dekanin e Fakultetit të Gjuhëve Evropiane dhe shefen e departamentit të Gjuhës Shqipe.

Takimi i dytë u mbajt në zyrat qëndrore të Instituteve Konfuci për mbarë botën, HANBAN. Delegacioni u prit nga drejtoresha për Evropën, znj. An Shi, e cila informoi delegacionin mbi statistikat e Instituteve Konfuci në botë dhe rëndësinë e vecantë që Instituti Konfuci-UT ka në Shqipëri dhe rajonin e Ballkanit.

Një takim i rëndësishëm u zhvillua në qytetin Yangzhou, ku Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës përfaqësuar nga Rektorja, Prof.Dr. Kseanela Sotirofski nënshkroi një Marrëveshje Bashkëpunimi me Universitetin e “Yangzhou” përfaqësuar nga Rektori Prof.Dr. JIAO Xin’an.