Eurodeputeti Fleckenstein Viziton UAMD-në


Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës pati nderin dhe kënaqësinë që në datë 6 prill, 2018, të priste në një takim raportuesin për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, z. Knut Fleckenstein. Z. Fleckenstein zhvilloi një takim me Rektoren Prof. Dr. Kseanela Sotirofski, e cila e njohu atë me politikat e ndërkombëtarizimit të Universitetit dhe vizionin për ta shndërruar UAMD-në në urë lidhëse mes institucioneve të arsimit të lartë në Shqipëri dhe atyre në Evropën Perëndimore dhe më gjerë.

Më pas,  në një bashkëbisedim tejet miqësor me studentët e UAMD-së europarlamentari Fleckenstein iu përçoi atyre mesazhin se ideja e Bashkimit Europian bëhet realitet vetëm nëse të gjithë se bashku e konceptojmë dhe perceptojmë atë si Evropa e të gjithëve ne.

Në takimin e moderuar nga koordinatorja lokale e BE-së për Qarkun e Durrësit, znj. Pranvera Gagani, studentët e Fakultetit të Shkencave Politike-Juridike i drejtuan z. Fleckenstein një sërë pyetjesh mbi rrugëtimin e vendit tonë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Studentët shprehën kënaqësinë e dyfishtë për këtë aktivitet, pasi jo vetëm takuan njërin prej përfaqësuesve të Parlamentit Europian, por edhe sepse në Janar të këtij viti patën simuluar pikërisht punimet e këtij institucioni të rëndësishëm.

Në përfundim të leksionit, studentët i dorëzuan simbolikisht z. Fleckenstein Deklaratën e Perspektivës Europiane, e cila është vendosur si shtylla prioritare e aktivizimit të tyre në Klubin e Juristëve të Rinj në UAMD.