“Arsimi Shqiptar në Optikën e Studentëve të Shkencave të Edukimit”


Në datën 11 prill, 2018, Fakulteti i Edukimit (FE) në Universitetin “Aleksander Moisiu” zhvilloi me sukses punimet e Konferencës së Parë Studentore “Arsimi Shqiptar në Optikën e Studentëve të Shkencave të Edukimit”.

Aktiviteti u përshëndet nga rektorja e Universitetit, Prof. Dr. Kseanela Sotirofski, Dekani i FE-së Prof. As. Dr. Jani Sota, zv. Ministri i Arsimit, Sportit dhe Rinisë, z. Shpati Kolgega, si dhe Drejtori i Qendrës për Edukim në Vazhdim në UAMD, Dr. Zenel Sina.

Në fjalën e saj, rektorja e UAMD-së Prof. Dr. Ksenalea Sotirofski, inkurajoi studentët që të vijojnë të përcjellin zërin e tyre për çështjet që prekin arsimin shqiptar. “Ju jeni mësimdhënësit e së ardhmes dhe me mendimet dhe propozimet tuaja do ta kryejmë edhe më mirë detyrën tonë në mënyrë që të përmbushim misionin e Universitetit”, u shpreh ajo.

Për dekanin e FE-së, Prof. As. Dr. Jani Sota, konferenca studentore mori vlera të veçanta për tematikën që trajtoi. “Kjo konferencë është mekanizëm përçues i sistemit të vlerave dhe lidhet me filozofinë e UAMD-së për të pasur në qendër të gjithçkaje studentin”, deklaroi ai.

Zv. Ministri i Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Shpati Kolgega, vlerësoi me superlativa nismën studentore. ”Ky është momenti i duhur për të adresuar çështjet e edukimit dhe rritjes së cilësisë në arsim. Në kumtesat tuaja keni trajtuar tema që përkojnë me programin dhe nismat që kemi marrë si ministri. Ju premtoj që do t’i shohim gjetjet e kërkimit tuaj shkencor për të përmirësuar punën tonë. Me aktivitete të tilla Shqipëria do të ketë mësues më të mirë dhe arsim më cilësor”, u shpreh i sigurt z. Kolgega.

Ndërsa për drejtorin e Qendrës për Edukim të Vazhdueshëm, Dr. Zenel Sina, “puna e mësuesit zhvillohet mbi baza shkencore, ndaj edhe UAMD-ja e ka punimin shkencor në thelb të punës të të gjitha njësive dhe për ketë ka gjetur mbështetjen e duhur institucionale”.

Konferencën e përshëndeti edhe Kryetarja e Këshillit Studentor, Xhemile Hoxha, e cila përgëzoi studentët, që siç ajo vetë i cilësoi, “punojnë në heshtje për të bërë “zhurmën” e duhur” si në rastin e kësaj konference.

Konferenca “Arsimi Shqiptar në Optikën e Studentëve të Shkencave të Edukimit” pati dhjetëra kumtesa që qëmtuan problematikat e arsimit shqiptar dhe njëherazi reflektuan kontributin e UAMD-së në formimin e specialistëve në të gjitha nivelet e arsimit në vend.