Konferencë shkencore kushtuar Musine Kokalarit


Në datën 9 maj 2018 u mbajt në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës veprimtaria shkencore mbi veprën artisitike dhe politike të Musine Kokalarit. Aktiviteti ishte një bashkëpunim i Universitetit me Muzeun Musine Kokalari.

Në fjalën përshëndetëse, zv. Rektori për Anën Shkencore në Universitetin “Aleksandër Moisu”, Prof. Dr. Lekë Sokoli,  shprehu kënaqësinë për organizimin e këtij aktiviteti të përbashkët dhe nevojën për të vendosur figurën e çmuar të Musine Kokalarit në panteonin e kujtesës të shoqërisë shqiptare.

Për koordinatoren e Fondacionit Friedrich Ebert Stiftung, që mbështeti financiarisht veprimtarinë, Musine Kokalari është e parë grua që zhvilloi konceptin social-demokrat në një epokë ku triumfonin burrat e fortë dhe rekomandoi më shumë studime në këtë aspekt të figurës së saj.

Më pas aktivitetin e përshëndetën z. Adrian Gurra, Drejtor i Arsimit dhe Kulturës në Bashkinë e Durrësit dhe Bibika Kokalari, përfaqësuese e familjes.

Në sesionet shkencore referuan studiues nga Shqipëria, Kosova dhe Italia, të cilët u ndalën në tema si :“Profili Social Demokrat i Musine Kokalarit”, “Vepra e Musine Kokalarit dhe lidhja me rrënjët”,  “Proza natyrale e jetës së përditshme (Rreth shkrimit autobiografik të Musine Kokalarit)”, “Veçoritë dhe vlerat e letërkëmbimit, të shënimeve dhe të kujtimeve të saj”, “Aventura e gjatë italiane e Musine Kokalarit”, etj.

Kjo veprimtari vjen në vazhdën e një serie aktivitetesh për promovimin e vlerave shoqërore, kulturore dhe politike të Musine Kokalarit.