UAMD konferencë shkencore mbi kontributin e historiografisë për figurën e Skënderbeut


Në kuadër të 550 vjetorit të kalimit në amëshim të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, dhe Vitit Mbarëkombëtar në nderim të tij, më 13 Maj 2018, Fakulteti i Shkencave Politike – Juridike organizoi konferencën shkencore me temë “Kontribute të historiografisë vendase dhe të huaj mbi figurën e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut”.

Qëllimi i kësaj konference ishte analiza e veprave të bashkëkohësve, por edhe historianëve, albanologëve, shkrimtarëve, vendas e të huaj, mbi Skënderbeun si një figurë e rëndësishme në historinë kombëtare të shqiptarëve, por edhe si mbrojtës i qytetërimit europian. Studiuesit bënë një analizë shumëpërmasore të figurës së Skënderbeut, personalitetit, strategjisë së tij ushtarake, përfshirjes së tij në skenën politikë të Italisë dhe Rilindjes.

Në konferencë morën pjesë studiues nga Kosova, Shqipëria, Italia dhe Austria. Nisur nga kjo prani, shihet qartë që Skënderbeu vazhdon të zgjojë një interesim shumë të madh edhe në mes të studiuesve të huaj. Ai edhe sot e kësaj dite ai vazhdon t’i bëjë kuriozë njerëzit e arkivave e vazhdon t’i mahnisë ata dhe, në shumicën e rasteve, t’i shndërrojë në mbështetës të kauzës që ai përfaqëson.

Konferenca u organizua në bashkëpunim me Fakultetin Histori-Filologji, Universiteti i Tiranës; Institutin Albanologjik të Prishtinës (Kosovë); Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, Maqedoni dhe Institutin e Studimeve Evropiane, Universiteti i Tiranës.

Në Vitin Mbarëkombëtar të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, një pjesë të mirë të kërkimit shkencor Universiteti “Aleksandër Moisiu” ia ka kushtuar pikërisht figurës së tij të lartë.