UAMD dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit Forum mbi Ekstremizmin e Dhunshëm


Fakulteti i Shkencave Politike-Juridike (FSHPJ) në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në bashkëpunim me Komitetin Shqiptar të Helsinkit (KSHH) zhvilluan në datë 7 qershor, 2018, një forum të hapur mbi ekstremizmin e dhunshëm në Shqipëri.

Në fjalën e tij përshëndetëse, dekani i FSHPJ-së, Prof. As. Dr. Andon Kume falenderoi KSHH-në për organizimin e aktivitetit dhe vuri theksin në rolin e institucioneve arsimore në luftën ndaj ekstremizmit të dhunshëm.

Drejtoresha Ekzekutive e KSHH-së, znj. Erida Skëndaj dhe Koordinatorja e Projekteve, znj. Miriam Neziri Angoni, informuan studentët e Drejtësisë, Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve me Publikun mbi rëndësinë, rolin dhe angazhimin e tyre në eleminimin e  gjuhës së urrejtjes e diskriminimit (përfshi atë online) dhe sjelljeve anti-sociale.

Dy të ftuarat paraqitën gjithashtu raste studimore, por edhe sondazhe, për të bërë të mundur që studentët të informohen, ndërgjegjësohen, por edhe të analizojnë të dhëna rreth fenomenit të radikalizimit fetar dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Studentët e pranishëm paraqitën pikëpamjet e tyre mbi shkaqet dhe pasojat e ekstremizmit dhe diskutuan rreth rolit të komunitetit të tyre për të luftuar këtë fenomen.