Ministri Bushati dhe Ministri Klosi bashkëbisedim me studentë të UAMD-së


Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Ditmir Bushati dhe Ministri i Turizmit dhe Mjedisit z. Blendi Klosi zhvilluan një bashkëbisedim me studentët e Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Në takim u diskutua mbi rrugëtimin evropian të Shqipërisë, zhvillimet më të fundit në vend dhe rolin dhe kontributin që mund të japin të rinjtë në funksion të këtyre proceseve.

Në fjalën e tij Ministri Bushati vuri theksin tek rëndësia që anëtarësimi ka për Shqipërinë. Ai shprehu optimizmin se “vendimi i datës 28 qershor i Këshillit Europian do t’i hapë rrugën negociatave të anëtarësimit”. “Sido që të jetë vendimi, të nesërmen dielli do të lindë sërish për Shqipërinë. Integrimi është proces gradual dhe duhet të hedhim hapa konstantë përpara”, këmbënguli ai. 

Para studentëve, kreu i diplomacisë foli edhe për përfitimet e të rinjve sa i përket projekteve evrpiane të arsimit të lartë dhe deklaroi se çelja e negociatave shton mundësitë dhe instrumentet në dispozicion të institucioneve shqiptare, universiteteve, bizneseve dhe qytetarëve dhe përbën investimin më të rëndësishëm për gjeneratën e re.
Në fjalën e tij ministri Klosi solli në vëmendje projektin më të fundit të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit “Smile Albania”, i cili iu ofron të rinjve punësim sezonal, por edhe kredite për praktika mësimore. Ministri i cilësoi të rinjtë si ambasadorët e parë të Shqipërisë turistike dhe iu kërkoi të pranishmëve që të jenë partnerë të këtij projekti të promovimit të vendit. 

Sipas “Smile Albania” reth 1000 të rinj do të jenë në 9 pika hyrëse, 15 infopoint si dhe 5 kampe rinore që do të ngrihen gjatë verës në zonat e mbrojtura turistike, ku do të promovojnë turizmin dhe mbrojnë mjedisin në vend.