Objektivat e Kërkimit Shkencor


Objektivat e Kërkimit Shkencor dhe Veprimtarisë Kërkimore
(2016-2020)

Çdonjëri në qendër e të gjithë bashkëpunues,
për një universitet elitar të bazuar në kërkimin shkencor

Për të përballuar sfidat e kohës, duke e vlerësuar arsimin e lartë si përgjegjësi publike, duke e konsideruar universitetin si një institucion që mbështetet në dy gjymtyrë të së njëjtës peshë e rëndësi: mësimdhënie dhe kërkim shkencor; për t’iu përgjigjur kërkesave të ligjit “Për Arsimin e lartë e kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në RSH”, duke e konsideruar kërkimi shkencor si kriter i vlerësimit institucional, rankimit e financimit; për ta shndërruar UAMD-në, universitetin e dytë në Shqipëri, në një qendër të zhvillimit rajonal dhe (mbarë)kombëtar vendosim këto,

objektiva:

1.
Shndërrimi i Universitetit Aleksandër Moisiu në një universitet të bazuar në kërkimin shkencor (Research-based University); hartimi, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI), i kritereve të vlerësimit të një universiteti të bazuar në kërkimin shkencor dhe orientimi i gjithë punës mësimore e kërkimore-shkencore në përmbushjen e tyre; shndërrimi i UAMD-së në një model kombëtar e më gjerë.

2.
Krijimi i një komuniteti akademik (në nivel departamenti, fakulteti e më gjerë), bazuar në parimet e barazisë në të drejta, detyrime e përgjegjësi, ku çdonjeri është në qendër dhe të gjithë janë bashkëpunues me të gjithë; nxitja e projekteve kërkimore dhe botuese (individuale e në grupe, bashkëautorësi), si dhe organizimi i planifikuar i veprimtarive shkencore-kulturore, duke nisur me ato për njohjen dhe promovimin e krijimtarisë shkencore të njëri-tjetrit;

3.
Integrimi real i mësimdhënies me kërkimin shkencor duke e konsideruar këtë si domosdoshmëri për të përballuar sfidat e shkollimit universitar, në kushtet kur shkolla (duke përfshirë universitetet), e ka humbur monopolin e të qenit informuesi i vetëm dhe kur studentët kanë akses informativ, aq sa edhe vetë pedagogët e tyre. Sfida e sotme nuk lidhet me informimin e studentit të painformuar, por me formimin e studentit të informuar. Kjo kushtëzon: (a) leksione që dalin edhe nga kërkimi i drejtpërdrejtë; (b) përfshirjen e studentit në projekte kërkimore të përbashkëta me pedagogun e të drejtuara prej tij; (c) shndërrimin shkallë-shkallë të raportit “pedagog-student” në “udhëheqës-kërkues”, sidomos në nivelin master e doktoraturë; (d) rivlerësim të lëndëve që lidhen drejtpërdrejt me kërkimin (siç janë: Metodat e kërkimit shkencor etj.);

4.
Krijimi i strukturave për kërkimin shkencor, në përputhje me kërkesat e Ligjit për Arsimin e lartë e kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në RSH (në vijim Ligji 80/2015) dhe përfshirja e tyre, me kompetencat dhe përgjegjësitë respektive, në Statutin e ri të UAMD-së.

5.
Përmbushja e standardeve për statusin “Universitet”, në përputhje me kërkesat e nenit 18, të ligjit 80/2015, si dhe përmbushja e kritereve për dhënien e titujve “Profesor” e “Profesor i Asociuar”, në përputhje me kërkesat e nenit 60 të këtij ligji (“titujt akademikë”), si dhe akteve nënligjore, duke filluar me plotësimin e pedagogëve me kohë të plotë me titullin Profesor për të arritur standardin tanimë taksativ: 18 anëtarë të personelit akademik me titullin Profesor.

6.
Konstituimi i Komisionit për Promovimin e Personelit Akademik (“Këshilli i profesorëve”), në përputhje me kërkesat e nenit 46 e 60 të ligjit 80/2015, si dhe fillimi i punës për promovimin e personelit akademik dhe dhënien e titujve “Profesor” dhe “Profesor i asociuar” – nga viti akademik 2017-2018, bazuar në VKM-në “Për standardet shtetërore dhe kriteret për fitimin e titujve akademikë dhe gradave shkencore” (aktualisht draft).

7.
Vazhdimi i programeve të doktoraturës në Fakultetin e Biznesit, gjatë vitit akademik 2016-2017 e në vijim, si dhe hapja e programeve të doktoraturës të paktën edhe në dy fakultete të tjera: Fakulteti i Edukimit dhe Fakulteti i Shkencave Politike e Juridike, nga viti akademik 2017-2018.

8.
Përputhja sa më e madhe e temave të doktoraturave me prioritetet e zhvillimit rajonal e kombëtar (politik, ekonomik, pedagogjik, social, shëndetësor, inxhinierik etj.), si dhe aplikimi për sponsorizimin e këtyre projekteve pranë Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI) apo institucioneve të tjera.

9.
Zhvendosja e qendrës së gravitetit të veprimtarisë kërkimore-shkencore në njësitë bazë (departamente e qendra), si dhe renditja e UAMD-së mbi bazën e vlerësimit të jashtëm periodik të veprimtarisë kërkimore-shkencore të njësive bazë,  në krye të hierarkisë universitare të Shqipërisë. Kjo do të thotë që çdo departament/njësi bazë të renditet në krye të listës së të ngjashmëve të vet në universitetet shqiptare.
Realizimi, nga viti akademik 2017-2018, i kërkesës që çdo departament të menaxhojë fondet bazë të kërkimit shkencor, si dhe fonde të tjera që gjenerohen nga burime të ligjshme, publike ose jopublike, kombëtare ose ndërkombëtare (në përputhje me kërkesat e ligjit 80/2015, neni 25, pika 10).

10.
Përcaktimi i prioriteteve të kërkimit shkencor nga departamentet/qendrat; përcaktimi i objektivave të veprimtarisë kërkimore të çdo anëtari të stafit akademik, të përshkallëzuara (vjetore e për periudhën 2016-2020), duke synuar përputhjen e objektivave të kualifikimit shkencor vetjak me objektivat kërkimore-shkencore të departamentit/fakultetit.

11.
Kategorizimi (mbi bazën e një pyetësori) i personelit akademik në përputhje me kërkesat e nenit 59, të ligjit 80/2015, në personel akadmik “me orientim mësimor” dhe “me orientim kërkimor-shkencor”, bazuar në intersat vetjake akademike të çdo anëtari të personelit akademik; krijimi i mundësive për harmonizimin e interesave për kualifikim shkencor vetjak (hierarkia akademike), me realizimin e projekteve kërkimore të institucioneve të UAMD-së.

12.
Përzgjedhja e Drejtuesit të Kërkimit në çdo njësi bazë, nga personeli akademik “me orientim kërkimor-shkencor”, bazuar në kriteret e të qenit bashkëpunues (1), ndër pedagogët me titullin më të lartë akademik (2), me përvojë në kërkimin shkencor (3) dhe mundësisht me përvojë në promovimin e personelit akademik (4).

13.
Standardizimi i “profilit të pedagogut” në përputhje me kërkesat e ligjit 80/2015, akteve nënligjore dhe, në zbatim të tyre, të standardeve të vlerësimit të IAL-së nga AKKSHI dhe vendosja si zë më vete i profilit të çdo pedagogu në faqen zyrtare të UAMD-së (sipas departamenteve).
Vlerësimi me pikë/kredite e me kritere unike i veprimtarisë kërkimore-shkencore e botuese, për çdo vit akademik e për çdo pjesëtar të personelit akademik, për:
(1) monografi e tekste mësimore universitare, të bazuara në standarde akademike e referuar numrit të faqeve kompjuterike (me nga 2200 karaktere), të diferencuar për autorët e parë e bashkautorët;
(2) artikuj shkencorë të botuar në revista shkencore në tri nivele (a) kombëtare, (b) ndërkombëtare, (c) me faktor impakti, të diferencuar për autorët e parë e bashkautorët;
(3) kongrese e konferenca shkencore në tri nivele (a) kongrese periodike ndërkombëtare; (b) konferenca ndërkombëtare, (c) konferenca të tjera, simpoziume, forume etj., të diferencuar për autorët e parë e bashkautorët;
(4) pjesëmarrje në aktvitete shkencore e botuese, si: pjesëmarrja në projekte kërkimore (e diferencuar për drejtues kërkimi e pjesëmarrës në nivele të tjera), drejtimi i periodikëve shkencorë (si kryetar apo anëtar i Bordit Botues), drejtimi i aktiviteteve shkencore (si kryetar apo anëtar i komisioneve organizatore);
(5), referime shkencore, prezantime, leksione të hapura etj., të zhvilluara në departament, apo në nivele të tjera të universitetit dhe në universitete të tjera (e shkallëzuar);
(6) çdo aktivitet i ideuar dhe shpallur nga Rektorati apo organe të tjera drejtuese për të cilat, bashkë me thirrjen apo ftesën e hapur për pjesëmarrje, shpallen edhe kreditet respektive që parashikohen për pjesëmarrësit
(7) çdo aktivitet tjetër që vlerësohet, në nivel departamenti e në përputhje me specifikat e tij, si aktivitet shkencor apo krijues e që pasuron dosjen personale të veprimtarisë kërkimore shkencore e botuese të personelit akademik e ndikon në vlerësimin (e brendshëm e të jashtëm) të departamentit dhe rankimin e tij;
Për vendosjen e kritereve të vlerësimit të veprimtarisë kërkimore-shkencore dhe mënyrës së pasurimit të dosjeve personale të pedagogëve, në përputhje me kriteret kombëtare të vlerësimit dhe rankimit periodik të departamenteve (ligjit 80/2015 e aktet nënligjore), të krijohet një grup pune dhe, për to, të vendosë Rektorati e Senati Akademik, brenda vitit akademik 2016-2017.

14.
Përfshirja e studentëve në kërkimin shkencor, e konsideruar si mundësi “e artë” për të realizuar objektivat të kërkimit shkencor (1), si kërkesë për formimin e tyre profesional dhe qytetar (2), si rrugë për të rritur shkallën e përvetësimit të programeve mësimore (3), si një mënyrë për pasurimin e CV-në e tyre që në kohën e studimeve universitare (4) dhe orientimin e tyre në tregun e punës (5).

15.
Rritja e vëmendjes mbi metodologjinë (metodat e kërkimit shkencor), vendosja e një raporti të drejtë midis dijes teorike dhe dijes metodologjike; respektimi i kërkesave etike të kërkimit shkencor, në mënyrë të veçantë shmangia e plagjiaturës (e cila, ndër të tjera, mund të skualifikojë edhe institucionin nga financimi i kërkimit shkencor); hartimi i “Kodit të etikës së kërkimit shkencor” dhe “Sistemit të referencave të kërkimit shkencor” dhe publikimi i tyre në faqen zyrtare të UAMD-së (brenda vitit akademik 2016-2017).

16.
Për nxitjen dhe drejtimin e kërkimit shkencor në UAMD, në zbatim të kërkesave të ligjit 80/2015 (sidomos neni 8, por edhe nenet 12, 13, 93-96 etj.), të krijiohet Këshilli i Nxitjes e Menaxhimit të Kërkimit Shkencor” (KKSH), si organ këshillmor për veprimtarinë kërkimore shkencore, pranë rektorit të universitetit. Organizimi, funksionimi, kohëzgjatja si dhe shpërblimi i anëtarëve miratohen nga Rektorati. Parashikohet që ai të përbëhet nga anëtarë të personelit akademik të çdo njësie bazë që i nënshtrohen procesit të vlerësimit të veprimtarisë kërkimore-shkencore dhe renditjes që bëhet nga AKKSHI (mbi bazën e së cilës kushtëzohet financimi i institucionit), nga pedagogë me titullin më të lartë akademik e të vetëdeklaruar “me orientim kërkimor-shkencor” (neni 59, pika 2 i ligjit 80/2015), bazuar në kriteret e të qenit bashkëpunues, me përvojë në realizimin e projekteve kërkimore dhe në menaxhimin e kërkimit shkencor. Zëvendësdekanët e kërkimit shkencor, nëse nuk janë anëtarë të KKSH, marrin pjesë aktivisht në mbledhjet e tij. Parashikohet që KKSH-ja të kryejë këto funksione: a) studion dhe vendos kriteret e vlerësimit të veprimtarisë kërkimore-shkencore të personelit akademik; b) vendos kriteret dhe standardet e organizimit të konferencave e veprimtarive të tjera shkencore, si dhe procedurat e standardizuara të pjesëmarrjes së personelit akademik në to, si dhe ndjek zbatimin e tyre; c) harton Kodin e Etikës të kërkimit shkencor e veprimtarisë kërkimore dhe ndjek zbatimin e tij; d) harton Sistemin e referencave të kërkimit shkencor dhe ndjek zbatimin e tij; e) harton kriteret e botimit në organet shkencore të UAMD-së apo njësive të tij, si dhe ndjek respektimin e tyre; f) harton, në bashkëpunim me njësitë e UAMD-së, kalendarin vjetor të veprimtarive shkencore dhe ndjek zbatimin e tij; g) organizon Akademinë Publike të UAMD-së (UAMD Public Academy); gj) krijon dhe mban bazën të dhënave për kërkimin shkencor në UAMD, sipas standardeve të AKKSHI, në përputhje me kërkesat e nenit 13 të ligjit 80/2015; h) përcakton kriteret e menaxhimit të buxhetit bazë të kërkimit shkencor të departamenteve, si dhe shqyrton platformën e projekteve të financuara të departamenteve; i) mban listën e përditësuar të kontributit shkencor të personelit akademik e kërkimor të UAMD-së; j) bën vlerësimin e brendshëm të Kërkimit Shkencor dhe renditjen e njësive bazë të tij.

17.
Duke e konsideruar partneritetin si çelësin e suksesit të një universiteti, UAMD synon zgjerimin e partneritetit me çdo institucion që mund të ndihmojë në përmbushjen e misionit të tij, që nga organizatat lokale deri te OKB-ja, duke përfshirë partnerë strategjikë (1), partnerë institucionalë (2), partnerë sipërmarrës (3), partnerë ambasadorë të UAMD-së (4) etj.

18.
Vendosja e marrëdhënieve të partneritetit të qendrueshëm me institucionet vendore të juridiksionit të Bashkisë së Durrësit, sipas përkatësisë (Fakulteti i Edukimit me Shkollat e Mesme e institucione të tjera arsimore; Fakulteti i Biznesit me institucionet respektive dhe sipërmarrjet; Departamenti i Mjekësisë me institucionet shëndetësore etj.), si dhe hartimi i planeve për aktivitete të përbashkëta.

19.
Vendosja e partneritetit (të bazuar në marrëveshje), sidomos me institucionet arsimore, duke filluar me Drejtoritë Arsimore Rajonale (DAR) të Durrësit, Kavajës, Kamzës etj., me shkollat e niveleve të ndryshme, sidomos me shkollat e mesme, ku formohen studentët potencialë të UAMD-së: ‘studentë potencialë’–‘studentë aktivë’–‘studentë alumni’.

20.
Nxitja e krijimit të instituteve kërkimore-shkencore apo qendrave për kërkim shkencor, me status SME apo OJF, nga anëtarë të personelit akademik në juridiksionin e UAMD-së, duke synuar së pari në krijimin e institucioneve homologe me universitete e partnerë të tjerë ndërkombëtarë me të cilat UAMD ka apo synon të ketë marrëveshje bashkëpunimi, ka realizuar apo synon të realizojë projekte kërkimore e programe studimi të përbashkëta, si dhe me universitete me të cilat anëtarë të personelit akademiktë UAMD-së kanë kryer studimet, apo kanë lidhje profesionale.
Në veçanti, duke shfrytëzuar diversitetin dhe larminë e fakulteteve, departamenteve dhe programeve të studimit të UAMD-së (disi unike në Shqipëri), të shqyrtohet mundësia e themelimit të një Instituti të Studimeve Multidisiplinare (apo qendër), me ekspertë të fushave e shkencave të ndryshme: sociale e humane, politike e juridike, ekonomike, të natyrës, mjekësore, mjedisore, inxhinierike etj., si dhe hartimi, aplikimi për financime dhe realizimi i projekteve të integruara të zhvillimit rajonal dhe kombëtar.

21.
Vendosja e partneritetit të ngushtë me institucione kërkimore-shkencore, trajnuese, botuese, të shërbimeve psiko-sociale apo komunitare, si dhe me organizata mendore të shoqërisë civile (think-tank) me status NGO (OJF) etj., të krijuara e të drejtuara nga anëtarë të personelit akademik të UAMD-së, për realizimin e qëllimeve dhe objektivave të përbashkëta, duke përmbysur konceptin (deri më sot dominues) nga “konflikt interesi” në “përputhje interesi”. Duke gjykuar rast pas rasti dhe në përputhje me shkallën e bashkëpunimit të derisotëm të shqyrtohet mundësia e përfshirjes së tyre në juridiksionin e UAMD-së.

22.
Përcaktimi i fushave prioritare të kërkimit me interes për zhvillimin rajonal e kombëtar dhe aplikimi për sponsorizimin e tyre, në fusha që përputhen me strukturën e UAMD-së (çdo fakultet/departament një fushë prioritare kërkimi), të tilla si:
I. Ekonomi/ shkenca ekonomike (biznes/sipërmarrje, financë-kontabilitet, turizëm, menaxhim, marketing);
II. Shkenca sociale e humane (Edukim/Pedagogji, Sociologji/Probleme Sociale, Psikologji/Shërbim psikologjik, Gjuhësi, Letërsi);
III. Shkenca politike e juridike (Drejtësi, Administrimi Publik/Administratë, Shkenca Politike, Shkenca komunikimi);
IV. Teknologji & Informacion (Shkencave Kompjuterike, Teknologji Informacioni)
V. Shkenca Mjekësore (Mjekësi – ShëndetPublik)
VI. Shkenca të natyrës & inxinierike (Shkenca Inxhinierike, Mekanikë, Transport)

23.
Zgjerimi i bibliotekës së UAMD-së(të njësive kryesore të tij) me të paktën 1000 libra shkencorë në vit; abonimi, qysh nga viti akademik 2016-2017, në 10 (dhjetë) periodikë shkencorë (hard copy, apo online), si dhe sigurimi i aksesit në të paktën 2 (dy) biblioteka online.
Organizimi me një program të veçantë i “Java e librit në UAMD” në kuadrin e Ditës Ndërkombëtare të Librit (17-23 prill të çdo viti), duke synuar mundësisht, pjesëmarrjen e çdo pedagogu dhe studenti, në të paktën, një veprimtari të kësaj jave, si: promovime të librave të veçantë apo serisë së botimeve të autorëve, forume të librit, simpoziume apo sesione – shoqëruar me vlerësime kritike, çmime etj.

24.
Shqyrtimi i mundësive për themelimin e “UAMD Publishing House” (UAMD Press), si shtëpi botuese e librit universitar, si dhe i “Librarisë Universitare UAMD”, kjo për botimin e librave universitarë dhe për menaxhimin e shitjeve, duke synuar njëherësh plotësimin e standardeve akademike të mësimdhënies dhe gjenerimin e të ardhurave për kërkimin shkencor.

25.
Botimi i të paktën dy revistave shkencore (periodikë) të UAMD-së, të veçanta apo në partneritet me institucione që kanë revista shkencore të çertifikuara, si të tilla, me status akademik të pranueshëm për kualifikimin shkencor të personelit akademik dhe marrjen e titujve shkencorë (revista të regjistruara edhe në Katalogun Kombëtar të Botimeve, siç parashikon VKM-ja “Për standardet shtetërore dhe kriteret për fitimin e titujve akademikë dhe gradave shkencore).

26.
Shqyrtimi i mundësisë për krijimin e Drejtorisë së Projekteve dhe Aktiviteteve të UAMD-së, si një institucion që merret mirëfilltazi me nxitjen, koordinimin dhe realizimin e projekteve e programeve të bashkëpunimit, në nivel kombëtar e ndërkombëtar, si dhe me zbatimin e tyre në bashkëpunim me partnerët dhe strukturat e UAMD-së, në drejtime si:
a. Rritja e kapaciteteve institucionale e njerëzore dhe krijimi i kushteve për t’u përfshirë gjerësisht në programet ndërkombëtare të kërkimit shkencor, si dhe përfitimi prej tyre për të përmirësuar infrastrukturën kërkimore, e për rritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe kërkimit shkencor.
b. Angazhimi, në mënyrë të veçantë, për përfshirjen e UAMD-së, njësive të tij kryesore dhe bazë, si dhe çdo pedagogu të disponueshëm, në projekte dhe programe të ndryshme, përmes të cilave krijohen përvoja akademike dhe gjenerohen të ardhura, të tilla si:
– Programe të shkëmbimeve afatshkurtra për pedagogët dhe studentët, me mbështetjen financiare të programit “Erasmus +” të sponsorizuar nga Komisioni Evropian;
– Programe, në bashkëpunim me Universitete të rajonit dhe Evropës për të siguruar mobilitetin e pedagogëve dhe sudentëve (http://erasmusplus.al/sq/?p=1268)
– Angazhimi për të siguruar lidhjet ndërkombëtare, sidomos me Universitetet Evropiane për të aplikuar në projekte të përbashkëta për ngritje kapacitetesh në “Erasmus +” (programi ish Tempus) për të siguruar më shumë mundësi trajnimi për stafin akademik dhe administrativ, për mbështetje në pajisje dhe laboratorë sipas prioritetit të nevojave që do të përcaktohen (http://erasmusplus.al/sq/?p=1268);
– Angazhimi për aplikime në projekte me objekt kryesor përmirësimin e kurrikulave, siç janë projektet (me dedline muajin shkurt të çdo viti) në “Erasmus +”, donatorë të tjerë të Komisionit Evropian, apo institucioneve financuese, si: Ambasada Hollandeze, Ambasada Amerikane, Ambasada Italiane, etj.;
– Aplikimi për programet e Kërkimit Shkencor dhe të ciklit të tretë të studimeve pranë Marie Skłodowska-Curie Action/Programs (MSCA), programe që garantojnë mbështetje financiare për zhvillimin e kapaciteteve të stafit akademik për kërkimin shkencor, si dhe në pasurimin e bibliotekës së UAMD-së me literaturëne nevojshme për pasurimin e syllabuseve (http://ec.europa.eu/research/mariecurieactions/);
– Ndërmarrja e një fushate, nga fillimi i shtatorit 2016 e në vijim, për përfshirjen e pedagogëve të UAMD-së në programet e MSCA-së, si dhe regjistrimi, mundësisht, i çdo pedagogu në portalet e CORDIS-it (dhe jo vetëm) duke shprehur disponibilitetin për t’u përfshirë në projekte ndërkombëtare.

27
“Ndërkombëtarizimi i programeve të studimit” dhe shqyrtimi i mundësive për krijimin dhe realizimin e programeve të përbashkëta të studimit me universitete të huaja, sidomos të programeve që zhvillohen në gjuhën angleze e që nuk janë objekt financimi nga Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë (AKFAL).

28.
Parashikohen të organizohen perodikisht:
a. Konferencë shkencore ndërdisiplinore ndërkombëtare (në anglisht), bazuar në standardet akademike ndërkombëtare, me thirrje të hapura të publikuara në sajtet ndërkombëtare të konferencave, jo me vonë se një vit para zhvillimit të tyre (shoqëruar me proceedings etj.);
c. Konferenca shkencore ndërkombëtare sipas fakulteteve, bazuar në standardet akademike ndërkombëtare, me thirrje të hapura (me proceedings etj.);
d. Konferencat seriale vjetore të Studimeve Master, bazuar në punimet e diplomave.

29.
Hartimi i një kalendari vjetor të aktiviteteve shkencore-kulturore (konferenca kombëtare e ndërkombëtare, seminare, simpoziume, lektoriume, leksione të hapura, referime shkencore, workshop-e, shkolla verore etj.),për shpërndarjen gjatë vitit e në të gjitha njësitë kryesore e njësitë bazë të UAMD-së, duke synuar që çdo ditë të këtë të paktën një aktivitet.
Shoqërimi me lëvizje sociale, kulturore, sportive, mjedisore etj., për gjallërimin e gjithë jetës universitare, si “Lëvizje për një Shoqëri të Mirë”, “Njih Vetveten” (njohja e trashëgimisë kulturore e moralo-psikologjike të shqiptarëve, si dhe njohja  e trevave e zonave me vlera të veçanta turistike), lëvizja kulturore universitare, Universiada UAMD, stafeta studentore-akademike ndër universitetet shqipfolëse, stafeta e universiteteve përgjatë rrugës “Egnatia” (Romë-Bari-Durrës-Elbasan-Strugë-Manastir-Selanik-Stamboll) etj.

30.
Orientimi dhe përafrimi sa më madh i veprimtarive shkencore-kulturore në UAMD, me kalendarin e ngjarjeve ndërkombëtare (sipas përcaktimit të OKB-së, bashkëngjitur) si dhe kalendarin e ngjarjeve të veçanta (mbarë)kombëtare, kjo si për domethënien që kanë, ashtu edhe impaktin mediatik.

31.
Pasqyrimi i aktiviteteve në kohë reale në faqen zyrtare të UAMD-së dhe i organizatave e institucioneve partnere, si dhe mediatizimi i aktiviteteve dhe gjithë veprimtarisë së UAMD-së në të gjitha format e mundshme (media, media sociale, web-e), për rritjen e impaktit, propogandimin e ofertës UAMD, si dhe për rritjen e imazhit publik të Universitetit “Aleksandër Moisiu”.

Shënim:
Këto objektiva janë hartuar në korrik 2016.
Ato janë diskutuar me personelin akademik, njësitë bazë dhe njësitë kryesore të UAMD-së, në shtator-tetor 2016.
Njëherësh ato i janë dërguar për vlerësim dhe sugjerime Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI), me të cilën është zhvilluar një trajtim me të gjithë stafin akademik dhe administrativ të UAMD-së, më 16 shtator 2016.

Prof. dr. Lekë Sokoli
Zv.Rektor për Kërkimin Shkencor