Departamenti i Letërsisë pranë Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës është një hapësirë akademike e dedikuar studimit, interpretimit dhe promovimit të letërsisë shqiptare dhe asaj botërore. Ai synon të formojë studentë me njohuri të thelluara teorike dhe aftësi kritike, duke i përgatitur për të kuptuar dhe analizuar zhvillimet letrare në kontekste të ndryshme kulturore dhe historike.
Programet e studimit ndërthurin traditën letrare me qasjet bashkëkohore, duke nxitur mendimin analitik, kreativitetin dhe aftësitë interpretuese të studentëve. Përmes aktiviteteve akademike, kërkimit shkencor dhe projekteve kulturore, departamenti kontribuon në pasurimin e jetës universitare dhe në promovimin e vlerave letrare.
Të diplomuarit në këtë departament përgatiten për një gamë të gjerë karrierash, duke përfshirë mësimdhënien, kërkimin shkencor, redaktimin, gazetarinë dhe sektorin e kulturës, duke u bërë promotorë aktivë të gjuhës dhe letërsisë shqipe në shoqëri.
Prof. Asoc. Dr. Marisa Kërbizi ka mbaruar me rezultate të shkëlqyera studimet 4-vjeçare dega “Gjuhë-Letërsi” dhe studimet Master (SHPU) në universitetin e Tiranës. Ajo mbrojti tezën doktorale me vlerësim maksimal (CUM LAUDE) në vitin 2013 dhe në vitin 2022 mori titullin Profesor i Asociuar. Prof. Asoc. Dr. Marisa Kërbizi ka qenë pjesë e programeve ERASMUS +, në Tartu University, Estoni (2019), Jaen University, Spanjë (2022), Pedagogical University of Krakow, Poloni (2022), Leon University, Spanjë (2023), etj. Prof. Kërbizi është autore e pesë librave akademike, si dhe autore e 52 artikujve shkencorë të botuar në revista të njohura. Ajo është pjesëmarrëse aktive në programet e financuar nga Bashkimi Evropian, me qëllim fuqizimin e kapaciteve në institucionet e arsimit të lartë. Prof. Kërbizi është përfituese e granteve në programe të tilla si: Writing Urban Places: Local Stories and Digital Tools”, Academy of Arts, Tallinn, Estoni (2021) “Writing Urban Places. The city and the myth”, Yeditepe University, Stamboll dhe Çanakkale, Turqi (2021), “Slow Memory”, Aarhus, Danimarkë (2023), etc.
Dr. Gazmend Krasniqi ka lindur në Shkodër, ku ka kryer studimet për letërsi në universitetin “Luigj Gurakuqi”, dhe banon në Tiranë. Gjithashtu, ka kryer një master të nivelit të dytë për studime letrare dhe ka doktoruar me temën “Poezia shqipe si histori letrare”.
Është pjesëmarrës i disa konferencave shkencore dhe autor i disa botimeve shkencore në revista të rankuarabrenda dhe jashtë vendit.
Ka botuar disa monografi të lidhura me kuadrin e studimeve të tij dhe të mësimdhënies në universitetin “Aleksandër Moisiu”, Durrës, si “Poezia shqipe, një histori letrare”, “Modernizmi dhe postmodernizmi në letërsi”,”Arti i poezisë” (bashkautor) dhe monografinë “Si ta lexojmë letërsinë shqipe: Drejtime letrare dhe kanonet e tyre”.
Diplomuar për Gjuhë-Letërsi, Universiteti i Tiranës (1996). Fitoi bursë kërkimore në Universitetin e Sofjes (1997-1998). Lektore në UAMD (2008). Përgjegjëse departamenti (2016-2020), zv. dekane (2012-2016). Lektore: Prishtinë (Kolegji AAB, 2013-2015); Universiteti i Beogradit (Katedra e Albanologjisë, 2015-2021). Monografinë e saj “Balada-nga oraliteti në letërsi” e botoi Akademia e Shkencave e Shqipërisë (2020).
Reportere, redaktore, kryredaktore (shtyp, radio, 1993-2008), gazetare e lirë (2008-2013). Është poete e njohur dhe e vlerësuar e letërsisë bashkëkohore shqipe. Ka botuar cikle poetike në 18 gjuhë ( 20 vende). Më 2022 botoi në Itali vëllimin e parë jashtë vendit.
Dr. Drita Isufaj, ka përfunduar studimet e larta pranë Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës në vitin 2006. Gjatë viteve 2009-2011 ka kryer Masterin e Nivelit të Dytë (MND) pranë të njëjtit fakultet, të cilin e përfundoi me mesatare 10, duke u vlerësuar me certifikatën e ekselencës. Në vitin 2018 fitoi gradën “Doktor i Shkencave në Letërsi” nga i njëjti institucion. Ajo ka marrë pjesë në një sërë konferencash shkencore, ka botuar artikuj studimorë, përkthime nga letërsia e huaj bashkëkohore, si dhe krijimtari artistike. Është njohëse shumë e mirë e gjuhëve: frënge, angleze, italiane e spanjolle.
Dr. Alma Dema është doktoruar në Antropologji Kulturore. Prej më shumë se një dekade është lektore e parë në Universitetin “Aleksander Moisiu”, në Departamentin e Letërsisë. Ajo është autore e mbi 50 botimeve shkencore, duke përfshirë artikuj të rankuar në Thomson Reuters, Scopus dhe Web of Science, punime dhe monografi. Një nga monografitë e saj është botuar nga “Verlag Unser Wissen.” Ajo është recensuese në Interdisciplinary Journal of Research and Development, Journal of Librarianship and Scholarly Communication, revistë e listuar në Scopus dhe në bordin editorial të Filologjia International Journal of Human Sciences. Ajo ka përvojë në projekte kërkimore si hulumtuese dhe trajnere.
Dr. Enida Godime (Lama) është lektore në departamentin e Letërsisë, Fakultetin e Edukimit në UAMD. Enida është diplomuar në vitin 2006 në degën Gjuhë – Letërsi, në UT dhe në vitin 2013 ka mbaruar studimet e thelluara pas-universitare (Master Shkencor “Studime letrare”) pranë të njëjtit Fakultet, ku u specializua në letërsinë moderne.
Në vitin 2021 ajo mbrojti disertacionin për gradën “Doktor i Shkencave” në fushën e letërsisë.
Është autore e artikujve shkencorë, të botuar brenda dhe jashtë Republikës së Shqipërisë me fokus në lëndën e romanit.
Kërkimi kryesor i Enidës është letërsia shqipe bashkëkohore, disa nga çështjet që janë bërë pjesë e studimeve të saj janë: ironia, grotesku, paradoksi, etj.