E drejta për t’u informuar dhe për t’u ankuar

E DREJTA PËR TË BËRË KËRKESË PËR INFORMIM /ANKESË DHE PROÇEDURA

  1. Referuar ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit” neni 3 “Çdo person gëzon të drejtën e njohjes me informacionin publik pa u detyruar të shpjegojë motivet”. Autoriteti publik është i detyruar të informojë kërkuesin nëse ka ose jo në dorëzim informacionin e kërkuar.
  2. Ju duhet të bëni kërkesën tuaj me shkrim në letër ose email. Adresa e paraqitjes së kërkesës per informim është Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës, lagjia nr. 1 Rruga e Currilave, Durrës. Adresa elektronike per dergimin e kërkesave për informim në emailin e koordinatorit për të drejtën e informimit znj. Vilma Tepelena (vilmatepelena@uamd.edu.al)
  3. Ju mund të kërkoni informacion në adresat zyrtare të autoritetit. Ligji nuk ju ndalon që informacioni ti kërkohet çdo funksionari publik, megjithatë ne ju këshillojmë të dërgoni kërkesën tuaj koordinatorit për të drejtën e informimit.
  4. Ju duhet të siguroni identitetin tuaj, nënshkrimin e kërkesës si dhe një adresë në mënyrë që UAMD- t’ju përgjigjet.
  5. Nëse ju dërgoni kërkesën me email dhe informacioni i kërkuar përmban të dhëna personale ju duhet të vini në dispozicion një kopje të skanuar të dokumentit të identifikimit.
  6. Kërkesa për informim nuk mund të bëhet anonim. Nëse ju jepni një emër të rremë UAMD nuk mund të përgjigjet.
  7. Ju duhet të përshkruani informacionin që ju dëshironi dhe ta bëni kërkesën tuaj sa më qartë që të jetë e mundur duke u fokusuar në informacionin që ju doni të merrni.
  8. Kërkesa për informim trajtohet nga ana e Autoritetit Publik, Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës jo më vonë se 10 ditë pune nga data e dorëzimit të saj përveç rasteve kur ligji i posaçëm parashikon ndryshe.
  9. Në rastet kur subjekti mendon se i janë mohuar ndonjë prej kërkesave tuaja në bazë të ligjit keni të drejtë të ankoheni tek Komisioneri për të drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të dhënave Personale. Ankesa paraqitet pranë Komisionerit sipas formularit të ankesës bashkëngjitur në përputhje me ligjin për të drejtën e informimit dhe Kodin e Procedurave Administrative.
  10. Ankimi administrativ pranë Zyrës së Komisionerit për të drejtën e Informimit dhe mbrojtjen e të dhënave personale bëhet brenda 30 ditëve pune nga dita kur:
  11. Ankuesi ka marrë njoftim për refuzimin e informacionit
  12. Ka kaluar afati i parashikuar në ligj për dhënien e informacionit.

KËRKESAT DHE ANKESAT SPECIFIKE

1. Ankimimi i Provimeve nga Studentët

– “Studenti ka të drejtë ta ankohet për shkelje  të rregullave të zhvillimit të provimit dhe vlerësimin. Ankesa i drejtohet me shkrim Drejtuesit të Njësisë Kryesore ku bën pjesë studenti jo më vonë se 3 ditë kalendarike nga dita e publikimit të rezultateve.
Në rastin kur kërkesa miratohet Dekani ngre një komision ad-hoc për rishikimin e tezës. Në këtë rast Përgjegjësi i Departamentit përcakton ditën dhe orën kur do të mblidhet komisioni ad-hoc jo më vonë se 3 ditë nga miratimi i kërkesës dhe njofton për këtë orar personelin akademik të seksionit dhe studentin.

2. Trajtimi i ankesave të studentëve

– Pranë Sekretarisë mësimore studentët kanë të drejtë të tërheqin një formular të përpiluar nga punonjësit e sekretarisë ku citohen të dhënat e studentit (emër, mbiemër, dega, viti akademik dhe fakulteti, ankesa përkatëse, nr i telefonit dhe adresa e-maili).
Ky formular plotësohet nga vetë studenti  i cili do të parashtrojë problematikën  dhe dorëzohet pranë asistentes/it të Dekanit të fakultetit përkatës, i/e cila ja përcjell dekani për shqrytim të mëtejshëm. Afati brenda të cilit duhet t’i kthehet përgjigje studentit është 7 ditë duke filluar që nga dita e dorëzimit të ankesës në sekretarinë e Dekanit.

3. Kërkesa  e studentëve për përmirësimin e notës

-Studenti ka të drejtë të paraqesë kërkesë me shkrim pranë Sekretarisë mësimore  për përmirësimin e notës për jo më shumë se tre lëndë në të cilat ka marrë notë kaluese.
Në kërkesën e tij studenti përcakton  nëse dëshiron që kursin ta frekuentojë përsëri në semestrin në të cilën ofrohet ose ta japë riprovim në sezonet e riprovimeve.

4. Kërkesa  e studentëve për t’u regjistruar në Provimin/Temën e diplomës.

– Studentët të cilët plotësojnë kushtet duhet të paraqesin pranë Sekretarisë mësimore të Fakultetit “Kërkesën për tu regjistruar në Provimin/Temën e diplomës” të plotësuar sipas formatit të miratuar të paktën 2 javë nga data e shpallur nga njësia kryesore për zhvillimin e provimit dhe për mbrojtjen e temave të diplomës.

5. Kërkesa  e studentëve për tu pajisur me vërtetime

-Sekretaria mësimore ka për detyrë të pajisë studentët me vërtetime. Pas marrjes së kërkesës së studentit për t’u pajisur me vërtetime sekretaria mësimore duhet ta përgatisë vërtetimin brenda 5 ditëve kalendarike.

6. Ankesa e kandidatëve  jofitues  të cilët aplikojnë për tu punësuar për personel akademik me kohë të plotë, personel akademik me kohë të pjesshme, personel ndihmës/akademik  dhe personel administrativ pranë UAMD-së

-Aplikimet e kandidatëve  sipas konkursit për vendet e lira të punës të shpallur  nga UAMD  në Buletinin e Njoftimeve Publike dhe në faqen zyrtare të UAMD-së në formë të shkruar dhe elektronike  bëhen vetem nëse paketat e aplikimit  dërgohen me anë të shërbimit postar dhe protokollohen sipas rregullave në fuqi.
Kandidatët që përzgjidhen dhe nuk përzgjidhen (jofitues) njoftohen nga Sektori i Burimeve Njerëzore në bashkëpunim me komisionet e vlerësimit të kandidaturave , nëpërmjet postës elektronike. Kandidatët jofitues kanë të drejtën e ankimimit tek Rektori brenda 5 ditëve pas marrjes së njoftimit nga Burimet Njerëzore.
Adresa postare për paraqitjen e ankesave/kërkesave është Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës, Lagjia nr. 1, Rruga e Currilave, Durrës.
Adresa elektronike për paraqitjen e ankesave/kërkesave është info@uamd.edu.al rishikohet nga Drejtoria e Administrimit dhe e Shërbimeve Akademike

KËRKESAT DHE ANKESAT E ZAKONSHME

  1. Për veprimet ose mosveprimet e institucionit subjektet e interesuara kanë të drejtë të dërgojnë kërkesë ose ankesë në format dhe mënyrat e përcaktuara si më sipër dhe struktrurat përkatëse përgjegjëse të Universitetit trajtojnë ankesat sipas afateve të mëposhtme:
  2. Për korrespondencat e zakonshme jepet përgjigje brenda 10 ditëve nga marrja e shkresës dhe e materialit në dorëzim.
  3. Për korrespondencat që do të gjykohen që kanë prioritet do të jepet përgjigje brenda 5 ditëve nga dita e marrjes në dorëzim.
  4. Për korrespondencat urgjente brenda ditës së marrjes në dorëzim.
  5. Për ato korrespondenca që kërkojnë mendim dhe bashkëpunim me drejtoritë/sektorë brenda institucionit përgjigja mund t’i kalojë afatet e mësipërme por nuk mund të kalojë më shumë se një javë nga data e përfundimit të korrespondecës së zakonshme.