Master i Integruar

Master i Integruar në Drejtësi

Përshkrimi i Programit:

Master i Integruar në “Drejtësi” është konceptuar si nje program studimi  i ciklit të dytë në fushën e drejtësisë, me 300 kredite, me një kohëzgjatje prej 5 vite akademike, në zbatim të nenit 82 të ligjit 80/2015. Kjo kurrikul e re, reflekton një përpjekje jo vetëm për t’u përshtatur me ndryshimet e reja ligjore, por edhe për të reflektuar nevojat e formësimit të studentëve të denjë për të përballuar konkurrencën e tregut të punës. Kurrikula ka në përmbajtje të saj, një sërë lëndësh të reja, të cilat përfshihen për herë të parë në programet e drejtësisë. Programet për këto lëndë janë hartuar nga anëtarët e departamentit, duke u mbështetur mbi praktikat më të mira në Evropë dhe më gjerë.

Kjo kurrikul e re, reflekton një përpjekje jo vetëm për t’u përshtatur me ndryshimet e reja ligjore, por edhe për të reflektuar nevojat e formësimit të studentëve të denjë për të përballuar konkurrencën e tregut të punës.

Ndër elementët kryesorë, që përbëjnë thelbin e këtij programi janë:

  1. Përfshirja e lëndëve kryesore të domosdoshme për formimin e njohurive juridike të një studenti të drejtësisë;
  2. Shpërndarja e profilit të lëndëve përgjatë viteve dhe semestrave akademikë, duke synuar jo vetëm në një shpërndarje proporcionale në aspektin sasior të lëndëve apo moduleve që studenti duhet të zhvillojë një semestër, por veçanërisht duke ndjekur rendin kronologjik dhe koherencën e këtyre lëndëve.
  3. Kategorizimi i lëndëve në përputhje me përmbajtjen dhe qëllimin e tyre me grupet apo profilet e ndryshme të ofruara.
  4. Proporcionaliteti në shpërndarjen e tre profileve: publik, civil dhe penal. Një balancë e tillë në hartimin e kësaj kurrikule është ndërtuar duke patur parasysh që formimi i një studenti të drejtësisë gjatë pesë viteve akademike, duhet të jetë sa i përgjithshëm, po aq specifik. Viti i parë akademik është konceptuar me lëndë të cilat japin njohuritë bazike mbi të cilat ndërtohet më tej background juridik. Njohuritë specifike janë menduar që t’i ofrohen studentit përmes lëndëve specifike të vendosura si dhe lëndëve me zgjedhje për të dimensionuar më tej fushën e njohurive të tyre në tre profile: publik, civil dhe penal.
  5. Duke menduar se aftësitë praktike janë një element thelbësor i ecurisë akademike të një studenti, vendosja e praktikës në formën e Klinikës së Ligjit konsiderohet një domosdoshmëri, por njëkohësisht dhe një risi e kësaj kurrikule.
  6. Lëndët me zgjedhje i janë vendosur në dispozicion studentit duke filluar që nga viti i dytë i studimeve akademike, duke i lënë hapësirë kështu që në vitin e parë ai të njihet me rregullat dhe njohuritë bazë të shkencës juridike.

Në përfundim të programit mësimor në degën e Drejtësisë, studenti do të jetë në gjendje që të disponojë këto karakteristika:

  1. Të orientojë njohuritë e tij të përgjithshme kulturore në fushën e drejtësisë, duke u pajisur kështu me dijen e nevojshme në planin juridik referuar të drejtave dhe detyrimeve të qytetarit në shoqërinë shqiptare dhe në botë.
  2. Të njohë dimensionet e tjera të planit ekonomik, historik, politik dhe social që kanë lidhje të konsiderueshme me aspekte të ndryshme të fushës së drejtësisë.
  3. Studenti do të jetë i aftë që të marrë dije në të tre profilet kryesore të drejtësisë: civil, publik dhe penal, e arritur kjo përmes konceptimit të balancimit të lëndëve që përfshihen në këto profile.
  4. Studenti do të jetë i aftë që të ndërtojë dijen e tij juridike, jo vetëm referuar sistemit juridik shqiptar, por dhe në planin ndërkombëtar dhe atë evropian, duke studiuar kështu në masë të konsiderueshme lëndë juridike në planin krahasues, ndërkombëtar dhe evropian.
  5. Studenti do të jetë i aftë që të disponojë edhe njohuritë në planin praktik, duke u ushtruar përmes kazuseve të ndryshme, të cilat do të ndërtojnë te ai ushtrimin e aftësive në praktikën juridike.
  6. Studenti do të jetë në gjendje që të njihet me ligjet kryesore që udhëheqin vendin tonë, si edhe me një serë vendimesh nga praktika gjyqësore shqiptare dhe ajo e huaj.

Studenti, ndër të tjera do të pajiset me njohuritë e nevojshme të shkrimit akademik, të kërkimit shkencor, si dhe me ushtrimin e praktikave konkrete mësimore, të cilat do të plotësojnë profilin e tij në përfundim të këtij programi studimi, duke e kornizuar këtë profil në aspekte të teorisë, praktikës, kërkimit shkencor dhe ndërtimin e aftësive analitike.