Ministrja Nikolla: UAMD në Rrugën e Duhur për t’u Bërë Universitet Prestigjioz


Rektorja e Universitetit “Aleksandër Moisiu”, Prof. Dr. Kseanela Sotirofski, e shoqëruar nga administratori z. Gerald Çeka dhe nje trupë akademikësh pritën në një takim në Kampusin e Ri Universitar në Spitallë ministren e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Znj. Lindita Nikolla.

Në fjalën të mirëseardhjes, rektorja Sotirofski i shprehu znj. Ministre mirënjohjen për mbështetjen e pakursyer të institucionit që ajo drejton. Falë kësaj mbështetjeje Universiteti “Aleksandër Moisiu” ka patur rritje të vazhdueshme të numrit të programeve të studimit, pranimit të studentëve, por dhe zhvillime pozitive në infrastrukturë.

Nga ana e saj ministrja Nikolla shprehu falenderimet e saj për mikpritjen e ngrohtë dhe vlerësoi maksimalisht rektoren dhe stafin e UAMD-së për punën e zhvilluar. “Përgëzimet e mia zonjës së vetme rektore në vend për punën e shkëlqyer që ka zhvilluar. Ju siguroj se Bordi i Administrimit do të ndihmojë në përmbushjen e pritshmërive të stafit dhe studentëve të UAMD-së për një universitet cilësor. Jeni në rrugën e duhur për t’u bërë një universitet prestigjioz”, u shpreh ajo. 

Më pas znj. Nikolla pati një takim me studentë të UAMD-së, të cilëve iu tha që të ndihen me fat që janë pjesë e një institucioni të akredituar ndërkombëtarisht. Së bashku me rektoren ajo iu uroi festa të bardha mbarë studentëve, shpërndau libra dhe u shpreh e bindur se viti i ri do të vijë me realizime ëndrrash për ta dhe UAMD-në.