Ceremonia e Diplomimit e Gjeneratës së 10-të


Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës organizoi më 20 shtator 2018, Ceremoninë e Diplomimit për rreth 1300 studentë të programeve Bachelor në Fakultetin e Biznesit, atë të Edukimit, Shkencave Politike-Juridike, Fakultetin e Teknologjisë së Informacionit dhe Fakultetin e Studimeve Profesionale.

Në ceremoninë e organizuar në ambientet e Akademisë Sportive “Goga Basket” ishin të pranishëm miq të Universitetit dhe familjarë të studentëve.

Në një atmosferë festive, Rektori i Universitetit, Prof. Dr. Kseanela Sotirofski, falenderoi pjesmarrësit dhe uroi studentët, jo vetëm për përmbylljen me sukses të ciklit të studimeve Bachelor, por edhe për nisjen e rrugëtimit të ri në karrierën e tyre profesionale. Ajo vlerësoi trupën akademike për punën e palodhur dhe shprehu mirënjohje të veçantë për prindërit dhe familjarët e studentëve të diplomuar.

“Të nxënit as nuk fillon dhe as nuk përfundon me arsimin universitar… Ne si UAMD, kemi bërë bashkë teoriken dhe praktiken, i kemi mbrujtur studentët me dëshirën për të mësuar dhe me mjetet për ta bërë këtë. … Po ndërtojmë sistemin, po gjejmë partnerë dhe krijojmë rrjete (network) për të ndarë bujarisht dijen dhe përvojën tonë, për të lidhur sa më mirë lokalen me kombëtaren, kombëtaren me ndërkombëtaren. Të gjitha në funksion të studentit”, u shpreh znj. Rektore.

Në fund të fjalës së saj ajo duartrokiti arritjet e studentëve. “Jeni munduar dhe ja ku është shpërblimi. Tani është moment të të bëheni guximtarë. Dhe guximi më i madh është të kërkosh gjithmonë të vërtetën dhe ta thuash atëherë kur duhet. Ju uroj shumë suksese në rrugëtimin tuaj profesional. Mos e shikoni këtë ditë si ndarje. Sukseset tuaja ndajini me ne, ejani na vizitoni sa më shpesh. Mos harroni: Shpërblimi më i madh për në është suksesi dhe lumturia juaj”, përfundoi ajo.

E nderoi këtë ceremoni gazetarja dhe autorja, Rudina Xhunga, e cila mbajti një fjalim shumë motivues për të  sapo diplomuarit dhe gjithë pjesëmarrësit.

“Juve që diplomoheni sot, nuk di t’ju them, nëse jeni në vitet e fundit të tranzicionit shqiptar, ndërsa bota po kalon tranzicionin e saj, nga njeriu te teknologjia”, u shpreh ajo.

Pasi shpjegoi vështirësitë e saj gjatë studimeve, znj. Xhunga iu bëri thirrje të studentëve që të guxojnë.

“… Mosha jote, mosha juaj është çelësi që hap çdo derë. Është e vetmja moshë që ka guxim të marrë dhe besim fëmije. Përdori! Ti mbase nuk e di se i ke këto armë, por i ke. Shoqëria të kthen në humbameno, në të kërrusur, në medioker, në intrigant, në të dëshpëruar me rregullat dhe parregullat e saj, kur kalojnë ca vite. Vetëm tani mundesh të bësh çudinë që nuk pret dot për nesër. Sikur ta dije çfarë vlere në ar ka mosha jote, çfarë guximi, çfarë besimi, çfarë mundësish, që o përdoren, o digjen. Ke gjithë jetën para për t’u dorëzuar, po ke vetëm këtë çast për të sfiduar. Ky çast është tani”, theksoi ndër të tjera znj. Xhunga.

Në emër të rrjetit ALUMNI përshëndeti Valeria Bardhaj. Nëpunëse e denjë e shtetit shqiptar, pedagoge, Valeria ndër të tjera u shpreh: “Ju nuk kemi nevojë për magji apo për mbëtetjen e dikujt për të ndryshuar jetën tuaj, ajo që keni nevojë për të arritur çdo qëllim që i vendosni vetes është pikërisht që të mbani të gjithë forcën që keni nevojë brenda vetes, pasi është pikërisht kjo forcë që do të na japë kurajo për të imagjinuar një të ardhme më të më mirë”.

Ajo ftoi gjithashtu të sapo diplomuarit “që së bashku të besojnë e punojnë se asnjë jetë nuk mund të jetë më e mirë sesa në vendin, të cilit i përkasim”.

Një pjesë e veçantë e ceremonisë iu kushtua studentëve më të mirë të secilit fakultet në UAMD. Dekanët vlerësuan arrijet dhe shpërndanë certifikata për studentët: Ardita Ndoj nga Fakulteti i Biznesit, Renata Legisi nga Fakulteti i Edukimit, Uendi Çerma nga Fakulteti i Teknologjisë së Informacionit, Blerim Maloku nga Fakulteti Studimeve Profesionale dhe Jonida Kurti nga Fakuleti i Shkencave Politike-Juridike.

Ashtu siç është tradita, në përmbyllje të ceremonisë studentët hodhën kapelet në shenjë të kurorëzimit me sukses të këtij cikli studimesh për të vijuar me fazat e tjera të jetës. Nuk munguan përqafimet mes studentësh dhe fjalë të thjeshta, por të mbushura me emocion dhe konsideratë, ku dallohej vlerësimi për institucionin, pedagogët, kolegët dhe prindërit.

*Fjalën e plotë të së ftuarës së nderit, Znj. Rudina Xhunga, mund ta lexoni këtu!