Bashkëpunimi i Suksesshëm me Biznesin; Inaugurohet në UAMD Laboratori Informatik


Më datë 2 tetor, 2018, në praninë e Rektorit të Universitetit Prof. Dr. Kseanela Sotirofski, zëvendës-Presidentit të “Oracle” për Lindjen e Mesme dhe Afrikën,  z. Pierfrancesco Digiuseppe, menaxherit të përgjithshëm të kompanisë “Crystal System Group”, z. Canzio Dovigo, zv. Ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme,  z. Etjen Xhafaj, dhe të ftuarve të tjerë të nderit, u inaugurua laboratori modern infromatik “Crystal Lab” si dhe u prezantua Masteri Profesional për Sistemet e Planifikimit te Burimeve (Enterprise Resource Planing). Ky Master është i pari i këtij lloji në vendin tonë dhe vjen si rezultat i bashkëpunimit të frytshëm mes UAMD-së dhe kompanisë multinacionale “Crystal System”.

“Një Universitet i hapur dhe bashkëpunues”

Znj. Rektore e UAMD-së i falenderoi të ftuarit për praninë dhe mbështetjen bujare dhe i njohu ata me rritjen cilësore të universitetit, planet për bashkëpunimet me koorporatat ndërkombëtare dhe biznesin vendas, sidomos në fushën e teknologjisë së informacionit. “Modeli që ne ofrojmë është ai i një universiteti të hapur, me një staf bashkëpunues”, tha ndër të tjera znj. Rektore.

Të njëjtin mendim ndau edhe menaxheri i përgjithshëm i “Crystal System”, Canzio Dovigo. “Bashkëpunimi ynë ka qenë i shkëlqyer. Tek UAMD ne kemi përzgjedhur punonjësit tanë, dhe mund të them që kemi gjetur studentë cilësorë. Argumenti më i mirë për këtë është klientela jonë e kënaqur. Unë ju garantoj që bashkëpunimin me universitetin tuaj duam ta shndërrojmë në një model suksesi. Ne do të vazhdojmë të trajnojmë dhe punësojmë të rinj që mund t’i shërbejnë Shqipërisë. Për një vit kemi punësuar 46 studentë të Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit dhe planet tona janë që së afërmi të punësojmë edhe 150 të tjerë. Duam që cilësitë e këtyre të rinjve të mbeten në Shqipëri dhe jo të përfundojnë jashtë vendit”, përfundoi ai.

“Ky është vetëm fillimi …”

I ftuari i nderit, z. Pierfrancesco Digiuseppe, zv. President i “Oracle” për Lindjen e Mesme dhe Azinë, u tregua i gatshëm të mbështesë nisma të tilla bashkëpunimi si kjo mes UAMD-së dhe “Crystal System”. “Ky është vetëm fillimi i historisë. Ne duam që në këtë botë globale, me ide dhe sfida të reja, të vijë puna aty ku janë aftësitë, pra te ju, dhe jo të shkoni ju gjetkë”, tha ai.

Ndërsa për zv. Ministrin e Europës dhe Punëve të Jashtme, z. Etjen Xhafaj, kjo formulë suksesi duhet të rritet dhe promovohet edhe më gjerë.

Nga UAMD në Kompaninë Lufthansa

Gjatë ceremonisë u prezantuan dhe histori suksesi të studentëve të Universitetit “Aleksandër Moisiu”, të cilët pas studimeve dhe trajnimeve të suksesshme, nga bankat e Universitetit kanë arritur të punojnë në kompani të mëdha globale. Një nga rastet ishte ai i studentes Ingrit Kau.

“Isha studente e vitit të fundit në UAMD kur mora pjesë në trajnimet që Universiteti dhe “Crystal System” ofruan falas. Pas dy muajve trajnime mora një laptop dhuratë dhe kontratën e parë të punës. Për një vit “Crystal System” ka ndryshuar shumë. Puna dhe përgjegjësia ime gjithashtu. Kam punën e ëndrrave të mia”, u shpreh ajo duke falenderuar Universitetin që e formoi dhe kompaninë që e punësoi.

Më pas të gjithë të pranishmit morën pjesë në një koktej të organizuar në ambientet e “Crystal System”.