Ministrja Nikolla: UAMD model suksesi për programet profesionale 2 vjeçare


Studentët bashkëbiseduan sot me Ministren e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Lindita Nikolla gjatë vizitës së saj në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, Durrës (UAMD), ku u diskutua mbi arsimin e lartë profesional. Vizita në UAMD nuk është rastësi, pasi universiteti i dytë më i madh dhe më dinamiku në vend është lider në studimet profesionale 2 vjeçare.

Znj. Nikolla u prit në një takim nga znj. Rektore e Universitetit, Prof. Dr. Kseanela Sotirofski, Administratori Gerald Çeka, Dekani i Fakultetit të Studimeve Profesionale Prof. As. Dr. Osman Metalla dhe anëtarë të tjerë të stafit akademik.

Në fjalën e mirëseardhjes, znj. Rektore shprehu kënaqësinë që e priste znj. Ministre në një kampus që ofron një infrastrukturë komode me risitë e fundit të teknologjisë së informacionit, shërbime dhe lehtësira për studentët, biblioteka dhe laboratorë.

“Në një moment kur Universiteti ynë po rritet, ju jemi mirënjohës dhe e shohim ardhjen tuaj si një mundësi të shkëlqyer për të promovuar një model të suksesshëm të studimeve 2 vjeçare profesionale për t’i drejtuar të rinjtë drejt këtij tregu, për të cilin vendi ynë ka kërkesë dhe nevojë”, u shpreh Prof. Dr. Sotirofski.

“Arsimi dhe aftësimi profesional luan një rol qendror për një ekonomi të përgjegjshme. Si universiteti i parë ku janë hapur programet e studimit 2 vjeçare, ne kemi përvojën e duhur për të kuptuar se trekëndëshi për një arsimim të suksesshëm profesional duhet të përfshijë: kombinimin e njohurive me praktikat profesionale, si dhe mbështetjen e akademikëve tanë. Duke i kombinuar të tre këta komponentë, duke patur studentin në qendër të vëmendjes, krijohen kushtet për përgatitjen e studentëve për nevojat e tregut të punës”, theksoi ajo.

Në fjalën e saj znj. Ministre e cilësoi UAMD-në si universitet model për programet dy vjeçare dhe vlerë e shtuar për arsimin e lartë në vend. “Hapi i radhës që do të ndërmarrim është modernizimi i kurrikulave dhe përfshirja në programe profesionale edhe i botës së biznesit. Kthesa e madhe e arsimit profesional është një mundësi e shtuar për tregun e punës. Faleminderit UAMD për të qenit avangardë në ofrimin e programeve 2 vjeçare në arsimin e lartë”, u shpreh znj. Nikolla.

Ministria theksoi gjithashtu se nën drejtimin e saj do të marrë udhë një nismë për uljen në tryezë të Universiteteve me sipërmarrjen në mënyrë që Universitetet të kthehen në motorrë të zhvillimit komunitar.

Në takim fjalën e mori edhe Klea Qose, një maturante me mesatare mbi 9, e cila zgjodhi të studiojë në një program 2 vjeçar.

“Jam studente në vitin e dytë të degës Ndihmës Dentist, pjesë e Fakultetit të Studimeve Profesionale. Dega për të cilën unë studioj është një degë me një cikël të plotë studimi, me informacion të bollshëm e të përditësuar, ku brenda dy viteve diplomohesh me të gjitha njohuritë e nevojshme për të hyrë në tregun e punës.  Degët profesionale si e imja janë mundësi e shkëlqyer për studentët që të bëhen pjesë e praktikave profesionale gjatë gjithë vitit akademik”, u  shpreh ajo. Studentja tha gjithashtu se nga përvojat e të diplomuarve të Fakultetit të Studimeve Profesionale, mundësitë e punësimit janë tejet të larta, si në tregun shqiptar ashtu edhe në atë të huaj të punës.

Pas bashkëbisedimit me studentët, Ministrja Nikolla vizitoi laboratorin e Teknologjisë së Automobilave, i pajisur me aparaturat më moderne dhe unik në llojin e tij në Shqipëri.