Ceremonia e diplomimit të FASTIP për Vitin Akademik 2017-2018


Në datën 5 nëntor 2018, në ambientet e ndërtesës së re të Kampusit Universitar, u organizua ceremonia e diplomimit të studentëve të Fakultetit të Studimeve të Integruara me Praktikën (FASTIP).

Studentë të profileve Menaxhim Bankar, Menaxhim Hoteleri – Turizëm dhe Menaxhim i Ndërmarrrjeve të Vogla dhe të Mesme, në prani të familjarëve dhe shumë të ftuarve të nderit, hodhën kapelet për t’iu bashkuar “armatës” të profesionistëve të rinj që FASTIP-i ka përgatitur për tregun e punës ndër vite.

Aktivitetin e nderuan me praninë e tyre z. Roland Nasto, Prefekt i Durrësit, si edhe përfaqësues të partnerëve mbështetës të këtij programi, Banka Kombëtare Tregtare (BKT), Vodafone Albania dhe Harmonia Hotels Group.

Në fjalën e mirëserardhjes, Rektori i Universitetit”Aleksandër Moisiu”, Prof. Dr. Kseanela Sotirofski, nuk i fshehu emocionet dhe u shpreh krenare me FASTIP-in, studentët, dhe atë çka ata përfaqësojnë.

“Dua që ta dini se jam e emocionuar dhe krenare që mbani veshur uniformën e UAMD-së dhe jam e sigurtë që pas shumë vitesh edhe ju do ta kujtoni me nostalgji të madhe këtë ditë. Sot ne po ju nxjerrim në udhën e profesionit jo vetëm si studentë, por edhe si profesionistë të rinj. Kjo ju ndan me të gjithë të diplomuarit e tjerë në të gjithë vendin. Jam e sigurtë që do të arrini shumë, ndërsa ne do të jemi aty duke ju vëzhguar dhe përkrahur”, u shpreh znj. Sotirofski.

Prefekti i Durrësit, z. Roland Nasto, pasi vlerësoi trupën akademike të Universitetit, iu kërkoi diplomantëve që njohuritë e tyre t’i venë në shërbim të zhvillimit të vendit dhe të bëhen ambasadorë të dijes.

Në emër të partnerëve përshëndeti znj. Arjana Tushi, Drejtor i Departamentit të Burimeve Njerëzore, dhe z. Fatih Karli, Drejtor i Grupit të Bankingut Individual në BKT.

“Banka Kombëtare Tregtare është ndër partnerët kryesorë të FASTIP-it. Ju jeni model suksesi, ndërsa ne krenarë që ky bashkëpunim ka dhënë fryte dhe 126 të diplomuar tuajët punojnë sot për BKT-në”, u shprehën ndër të tjera përfaqësuesit e BKT-së.

Në emër të diplomantëve përshëndeti Sara Imeraj. Në fjalën e saj ajo falenderoi stafin akademik dhe administrativ të Fakultetit për atë që e cilësoi si “ofrimin e një mundësie të shkëlqyer për të marrë edukim perëndimor në Shqipëri”.

Emocione të forta përcolli fjala e Dekanit të Fakultetit, Dr. Ela Golemi. Pasi falenderoi partnerët, BKT, Vodafone dhe Harmonia Hotels Group për mbështetjen, ajo kërkoi nga të rinjtë që të mos heqin dorë nga libri. “FASTIP-i ju ka përgatitur më së miri për tregun e punës. Ne jemi të sigurtë për sukseset që ju presin dhe ju kërkojmë t’i ndani ato me ne”, theksoi ndër të tjera Dr. Golemi.

Fakulteti i Studimeve të Integruara me Praktikën është një model suksesi i partnershipit publik privat në vendin tonë dhe shpreh falenderimet për kompanitë për përgjegjësinë sociale dhe mbështetjen e risive të tilla në arsimin e lartë shqipar.