Zhvillohet në UAMD Akademia “Lider të rinj me integritet”


Akademia “Lider të rinj me integritet” nisi rrugëtimin e saj nga Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës (UAMD). Në datat 5-6 nëntor, 2018, studentë nga të 6 fakultetet e UAMD-së, u përzgjodhën me kujdes nga organizatorët për të qenë zëri i simoshatarëve të tyre në Universitet dhe më gjerë.

Ata u trajnuan për të qenë lider të një kulture universitare të bazuar në suksesin e ndershëm, aftësinë dhe meritokracinë.

Gjatë dy ditëve të trajnimit studentët diskutuan mbi përpjekjet dhe mënyrat për të patur një universitet të paprekur nga korrupsioni, si dhe shprehën gatishmërinë për të bashkëpunuar në nisma frymëzuese për të luftuar fenomenet negative në arsimin e lartë në vend. Në fund të trajnimit ata u zotuan të krijojnë Klubin studentor “Lider me Integritet” në UAMD.

Aktiviteti u mundësua nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit në kuadër të projektit “Të rinjtë luftojnë korrupsionin në arsimin e lartë në Shqipëri”, me mbështetjen financiare të Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun të Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë.

UAMD do të vazhdojë të mbështesë aktivitete të kësaj natyre për të forcuar kapacitetet studentore dhe promovuar përfshirjen dhe angazhimin e studentëve në jetën universitare.