Diskutohet në UAMD Ligji për Rininë


Në datë 10 nëntor, 2018, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR), në bashkëpunim me UNFPA, Olof Palme Center Albania zhvilluan konsultime me studentë të Universitetit “Aleksandër Moisiu” dhe të rinj të Durrësit për të marrë mendimet dhe idetë e tyre mbi Projektligjin për Rininë.

Pjesëmarrës në këtë takim ishin z. Shpati Kolgega, Zëvendësministër i Arsimit, Sportit dhe Rinisë; Prof. Dr. Lekë Sokoli, zv. Rektor i Kërkimit Shkencor në Universitetin “Aleksandër Moisiu”; z. Florian Tahiri, Nënkryetar i Bashkisë Durrës, si dhe të ftuar të tjerë të MASR-së dhe organizatave të shoqërisë civile.

Për zv. Ministrin e MASR-së, Shpati Kolgega, ky ligj synon të shpjerë përpara zhvillimin e politikave rinore, duke rritur më shumë rolin e të rinjve dhe të organizatave rinore në vendimmarrje. Po ashtu ligji synon të  sigurojë efiçiencën e institucioneve shtetërore, të cilat punojnë me çështjet që lidhen me të rinjtë në nivel qëndror dhe vendor.

Studentët e UAMD-së u bënë pjesë aktive e diskutimeve për këtë projekligj duke theksuar nevojën për politika afatgjata, siç parashikohet në projektligj, në mënyrë që përfaqësohen më mirë pikëpamjet dhe interesat e të rinjve në vend.