“Studenti dhe profesioni”, bashkëbisedim me moderatoren Nisida Tufa


Studentë të Marrëdhënieve me Publikun dhe Shkencave Politike në Universitetin “Aleksandër Moisiu” zhvilluan sot në sallën e konferencave takimin e parë të serisë “Studenti dhe profesioni”, me të ftuar gazetaren dhe moderatoren Nisida Tufa.

Gjatë diskutimeve me studentët e UAMD-së, moderatorja e njohur u ndal në rrugëtimin e saj më shumë se 15-vjeçar si gazetare dhe mbi 10-vjeçar si moderatore.

Në fjalën e saj, znj. Tufa u foli plot pasion studentëve për profesionin e gazetarit, që pavarësisht vështirësive të ushtrimit në vendin tonë “mbetet një nga më të bukurit”. “Një nga sfidat, por edhe obligimet e këtij profesioni, është t’i shkosh lajmit deri në fund”, u shpreh ajo.

Në takim u fol për fenomenin e “fake news” dhe sesi e ka ndryshuar ai të bërit gazetari. Për moderatoren Tufa “mënyra më e mirë e luftimit të “fake news” është verifikimi i burimeve të lajmit”. Studentët patën gjithashtu mundësi të pyesnin të ftuarën mbi sfidat e profesionit, intervistat më vështira që ka pasur, por edhe modelet më të mira të ekranit.

Takimet e serisë “Studenti dhe profesioni” janë organizime që synojnë të sjellin në aulat e universitetit anën praktike të profesionit të gazetarit apo profesionistit të marrdhënieve me publikun. I gjithë aktiviteti zhvillohet në formë bashkëbisedimi, ku fillimisht një nga studentët, i cili ndryshon çdo javë, interviston të ftuarin/ftuarën, për t’i lënë më pas vend për pyetje audiencës. Përmes këtyre aktiviteteve studentët kanë mundësi të shpalosin talentet dhe forcojnë kapacitetet e tyre përmes përgatitjes, moderimit të aktiviteteve të tilla si dhe të pasurit e shembujve në auditorë.