Ambasadori britanik bashkëbisedim me studentët e UAMD-së


Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, SH.T.Z. Duncan Norman, i shoqëruar nga përfaqësuesja e Zyrës së Marrëdhënieve me Median dhe Publikun e Ambasadës, znj. Kebiana Doçi, në datë 27 nëntor, 2018, zhvilluan një takim me studentë të Fakultetit të Biznesit në Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës.

Ambasadori u shoqërua gjatë gjithë takimit nga nga znj. dekane e Fakultetit të Biznesit Prof. As. Dr. Azeta Tartaraj dhe një trupë akademikësh të ketij fakulteti. Në qendër të takimit ishin marrëdhëniet shqiptaro – britanike. Z. Ambasador u shpreh i kënaqur që fliste me të rinj të mirë edukuar dhe i ftoi ata të jenë të përkushtuar për zhvillimin e vendit në lëmin shkencor, ekonomik dhe atë social.

“Jam tejet i kënaqur që jam sot në Durrës, qytetin ku është çelur përfaqësia e parë diplomatike britanike në Shqipëri në vitin e largët 1922. Po ashtu, jam tejet i kënaqur që gjendem në këtë godinë të shkëlqyer. Të rinjtë shqiptarë meritojnë më shumë mundësi në vendin e tyre”, deklaroi ai.

Ambasadori Norman përgëzoi Dekanen për progresin e Fakultetit të Biznesit dhe iu përcolli mesazhe mbështetjeje studentëve dhe stafit të Universitetit “Aleksandër Moisiu”. Takimi u mbyll me një bashkëbisedim miqësor mes ambasadorit dhe studentëve në lidhje me problematika të ndryshme që shqetësojnë të rinjtë.