Një delegacion nga Universiteti i Maçeratës viziton UAMD-në


Më 13 dhjetor 2018, Rektori i Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, Prof. Dr. Kseanela Sotirofski, priti në një vizitë zyrtare përfaqësuesit e Universitetit të Maçeratës, Itali, si dhe anëtarë të Shoqatës së Studentëve Shqiptarë në vendin fqinj.

Në takim përpos rektores së Universitetit morën pjesë edhe Dekani i Fakultetit të Studimeve Profesionale Prof. As. Dr. Osman Metalla, Përgjegjësja e Departamentit të Psikologjisë në Fakultetin e Edukimit Prof. As. Dr. Blerina Xhakolli, Drejtoresha e Marrëdhënieve me Jashtë dhe Projekteve znj. Dorinela Çupi dhe Drejtori i Administrimit dhe Shërbimeve Akademike z. Xhafer Rakipllari.

Në takim, miqtë nga Italia shprehën falenderimet për pritjen nga Rektori i UAMD-së dhe predispozitën e tyre për bashkëpunime të frytshme ndëruniversitare në të ardhmen. Ata i kushtuan vëmendje të veçantë bashkëpunimit me UAMD-në si dhe u ndalën në mundësitë e këmbimit studentor dhe të stafit akademik mes dy institucioneve.

Znj. Rektore i falënderoi përfaqësuesit për vizitën në Universitetin e Durrësit, duke nënvizuar faktin e marrëdhënieve shumë të mira ndër vite me universitetet italiane.

Dy palët shprehën gatishmërinë e tyre për nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi, e cila do t’i hapë rrugë ndërtimit të urave konkrete të bashkëpunimit mes dy universiteteve.
#UAMD #Dije #Edukim #Kulturë #përShqipërinë