Organizohet Konferenca e Parë Studentore e Fakultetit të Edukimit


Në datën 11 janar, 2018, Departamenti i Gjuhëve të Huaja, Fakulteti i Edukimit në Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës (UAMD), në partneritet me Universitetin “Hasan Prishtina” dhe Kolegjin AAB, Prishtinë, Universitetin “Aleksandër Xhuvani” Elbasan si dhe Universitetin “Eqrem Çabej” në Gjirokastër, organizoi Konferencën e Parë Studentore “Sfidat e Arsimit në Shekullin XXI”.

Konferenca është pjesë e një strategjie që synon të nxisë vështrimin kritik dhe profesional mbi problematikat e sistemit arsimor në Shqipëri, si dhe të mundësojë shpalosjen e mendimeve lidhur me këto problematika përmes perspektivës studentore.

Në sesionet e konferencës rreth 170 studentë nga Shqipëria dhe rajoni trajtuan një sërë tematikash që nga fushat e lidhura ngushtësisht me formimin pedagogjik dhe edukimin, gjer te disiplinat e shkencave të tjera sociale, si dhe më tutje, te gjuhësia dhe studimet letrare.

Në fjalën e mirëseardhjes, rektori i UAMD-së, Prof. Dr. Kseanela Sotirofski, foli mbi angazhimin dhe përfshirjen e studentëve në disiplinat e ndryshme të kërkimit shkencor.

“Në të gjashtë Fakultetet e Universitetit tonë, lektorët janë kujdesur të motivojnë studentët për të qenë pjesëmarrës në aktivitete kërkimore-shkencore. Shembujt pozitivë nuk kanë munguar. Vitin e kaluar akademik janë organizuar konferenca shkencore dhe workshop-e pothuajse më të gjithë fakultetet. Për t’u vlerësuar është fakti që përpara konferencave stafi akademik kundeset të trajnojë studentët mbi mënyrën e punimit, objektivat, metodologjinë, rishikimin e literaturës dhe përfundimet”, u shpreh ajo.

Për dekanene Fakultetit të Edukimit, Prof. As. Dr. Griselda Abazaj dhe Përgjegjësen e Departamentit të Gjuhëve të Huaja, Dr. Anita Muho, UAMD-ja i vlerëson zërat dhe perspektivat studentore dhe do përpiqet të krijojë hapësirat e nevojshme që kontributi i tyre të dëgjohet dhe vlerësohet. Po ashtu ato u zotuan që të mbështesin më shumë përfshirjen e studentëve në projekte të ndryshme.