“Qasja e të sapo diplomuarëve në tregun e punës”


Fakulteti i Biznesit, Departamenti i Shkencave Ekonomike, në bashkëpunim me Qendrën për të Drejtat në Punë, CLR, organizuan sot leksionin e hapur me temë: “Qasja e të rinjve të sapo diplomuar në botën e punës: të drejtat që duhet të njohin dhe shprehitë që duhet të fitojnë për të siguruar një punësim të denjë”.

Realiteti në ndryshim i botës së punës dhe vështirësitë që sjell ky ndryshim, me të cilat përballen të rinjtë punëkërkues shqiptarë, ishin disa nga çështjet që u theksuan nga stafi i CLR.

Ata gjithashtu përmendën se aftësitë dhe shprehitë e punës të fituara herët dhe të shkrira në kurrikulat universitare që mundësojnë më shumë praktikë për studentët, do t’i ndihmonin të rinjtë të kishin sukses dhe të zhvillonin në mënyrë më të sigurtë karrierën e tyre.

Eksperti ligjor i CLR dhe njëherësh drejtori ekzekutiv i saj, Z. Edison Hoxha, së bashku me koordinatoren e kësaj qëndre, znj. Eni Mjeshtri, shpjeguan çfarë janë të drejtat e punës dhe si të fillosh e të ndërtosh një marrëdhënie të denjë pune me punëmarrësin. Ata u fokusuan tek kontrata e punës dhe theksuan në mënyrë të veçantë rëndësinë e sindikatës dhe të organizimit kolektiv të punëmarrësve për të rritur mbrojtjen e tyre në punë.