Klubi i Juristëve të Rinj prezanton projektet e reja


Në datë 1 shkurt, 2019, Klubi i Juristëve të Rinj (KJR) organizoi një aktivitet me rastin e 1-vjetorit të themelimit të tij.

Aktivitetin e moderoi znj. Olta Qejvani, lektore e së Drejtës Europiane dhe nismëtare e krijimit të Klubit. Për të, KJR-ja është dëshmi që studentët e Drejtësisë në Fakultetin e Shkencave Politike-Juridike (FSHPJ) kanë potencialin për të organizuar aktivitete ekstra-kurrikulare dhe bashkëpunuar për të çuar përpara interesat e të rinjve në Universitet dhe më tej.

Znj. Qejvani bëri një rezyme të punës një vjeçare të Klubit, e cila kulmoi me vizitën në UAMD të eurodeputetit Knut Fleckenstein dhe nënshkrimin nga ana e tij të Deklaratës së Perspektivës Europiane.

Më pas dy studentet Alba Troka dhe Eriana Tafa shpalosën strukturën e Klubit dhe përfitimet e studentëve që do të anëtarësohen në të.

Në fjalën e tij, Dekani i FSHPJ-së, Prof. As. Dr. Andon Kume, u shpreh krenar për arritjet e Klubit dhe punën e tij për promovimin e Fakultetit dhe Universitetit. “Ju premtoj që do të jem gjithmonë një mbështetës dhe promotor i nismave tuaja”, përfundoi ai.

Për Drejtorin e Administrimit dhe Shërbimeve Akademike, z. Xhafer Rakipllari, përmes KJR-së dhe klubeve të tjera studentore, UAMD synon të forcojë kapacitetet studentore dhe të promovojë angazhimin e tyre në jetën universitare. “Jam i lumtur që kam njohur studentë të angazhuar dhe me integritet si ju dhe jam shpresëmirë që Klubi juaj do të kontribuojë për të arritur qëllime të përbashka student-universitet, si dhe do të afrojë më shumë Universitetin me komunitetin”, u shpreh ndër të tjera z. Rakipllari.

E ftuar në këtë aktivitet ishte edhe znj. Sabina Borakaj, Koordinatore e Kartës Rinore Europiane për Shqipërinë, e cila i njohu studentët me mundësinë që ofron kjo kartë për trajnime, por edhe një sërë avantazhesh të tjera në sektorë të ndryshëm në Shqipëri dhe Europë.
#UAMD #Dije #Edukim #Kulturë #përShqipërinë