Dita Ndërkombëtare e Radios, Departamenti i Turizmit ekspozitë në UAMD


Radio ka qenë kaherë medium i rëndësishëm për informim dhe argëtim. Por ka qenë gjithaq vegël e jashtëzakonshme në duart e mjeshtrave të manipulimit për të “magjepsur” masat.

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Radios, Departamenti i Turizmit në Fakultetin e Biznesit, UAMD, organizoi një ekspozitë tejet të veçantë. Aty u rrëfyen pikërisht histori shqiptare mbi përdorimin e radios.

Bie fjala, në komunizëm shqiptarët ditën i vinin veshin “Tiranës”, ndersa natën “Zërit të Amerikës”, “BBC-së” apo “RFI-së” (Radio France International), mbuluar me batanije në kokë që të mos dëgjohej asgjësendi nga fqinjët.

Kurse vitet ’70 ishin kohët kur nisi konfiskimi i lirisë në Plazhin e Durrësit, se liria asokohe ishte bash radio e dorës.

Gjatë këtyre kohëve interesante, për të parë ecurinë, efikasitetin e luftës së klasave si dhe ndikimin e mundshëm të popullit nga shfaqjet e huaja, celulat e partisë organizonin dy herë në jave mbledhje të detyruara ndër bodrumet e pallateve.

Kjo ekspozitë interesante ishte fryt i bashkëpunimit pedagogë – studentë dhe shpërfaqi të dhëna për propagandën në radio gjatë viteve ’70-’86, si dhe përcolli infomacione të tjera mbi rolin e radios në Shqipëri.