TEAVET – Vizitë Mësimore në Durrës


Në datat 28 shkurt – 1 mars në Universitetin e Durrësit u mblodhën partnerët e projektit TEAVET më qëllimin për të përgatitur profesionistët që do të trajnojnë mësuesit në mbarë Shqipërinë për përfshirjen e mësimit të kombinuar në klasa dhe auditorë.

TEAVET – Zhvillimi i Aftësive të Mësuesit për një Sistem Gjithëpërfshirës të Edukimit dhe Aftësimit Profesional në Shqipëri është projekt CBHE (“Capacity Building in the field of Higher Education) i bashkëfinancuar nga programi Erasmus +. Ai synon zhvillimin e ekspertizës akademike përmes ngritjes së qendrave të specializura në universitetet shqiptare dhe ofrimit të programeve cilësore në zhvillimin të aftësive profesionale të mësueve në Shqipëri.

Universiteti i Leon-it në Spanjë është koordinator i përgjithshëm i projektit, ndërsa UAMD është një nga partnerët e e konsorciumit ku ndër të tjerë bëjnë pjesë edhe Universitetit i Turkut, Finlandë, Universitetit i Danubit Krems, Austri, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë etj.

Në takim ishte pjesëmarrëse Drejtoresha e Përgjithshme e P.Zh.A.S.R në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Zamira Gjini. Në fjalën e saj ajo u ndal në strategjinë e Shqipërisë për të mësuarit gjatë gjithë jetës në Shqipëri.

Ndër folësit e nderit, fjalën e mori Dr. John Smeds nga Fakulteti i Edukimit në Universitetin e Turkut në Finlandë. AI prezantoi trajnimet e mësuesve si një mënyrë për të mbështetur zhvillimin e edukimit duke u bazuar në modelin finlandez. Ndërsa Stephan Längle nga Universiteti Danube Krems në Austri foli për sistemin e menaxhimit të të mësuarit “Moodle”.

Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës dha kontributin e tij në dy module trajnimi. Rektori i Universitetit Kseanela Sotirofski, pedagogia Anila Plaku dhe Drejtori i Administrimit dhe Shërbimeve Akademike Xhafer Rakipllari trajnuan mësuesit në modulin “Mësimdhënia e kombinuar dhe sistemet e menaxhimit të të nxënit”. Ndërsa lektoret e Fakultetit të Edukimit Ledia Kashahu dhe Menada Petro trajnuan pjesëmarrësit në modulin “Të nxënët dhe kultura e vlerësimit në Shqipëri”.

Trajnimet e tjera kishin gjithaq përmbajtje bashkëkohore në fushat e etikës dhe komunikimit të mësuesve, krijimit dhe zhvillimit të aftësive dighitale për qëllime pedagogjike, komunikimit online, etj. duke vënë theksin te kërkesat reale të grupeve të interesit.

Një program të detajuar të aktivitetit mund ta gjeni këtu!