Studentët e Durrësit dhe Prishtinës shkëmbejnë përvojat


Më datë 02 Mars 2019, studentët e programit Master Shkencor “Ekonomi Biznes” të Fakultetit të Biznesit, UAMD, udhëtuan drejt Prishtinës për një vizitë një ditore. Qëllimi i vizitës ishte njohja dhe shkëmbimi i experiencave midis studentëve të Masterit Shkencor “Ekonomi Biznes” të Universitetit të Durrësit dhe atyre të Universitetit të Prishtinës.

Studentët u shoqëruan nga Drejtuesja e Departamentit të Shkencave Ekonomike Prof. Ass. Dr. Flora Merko dhe lektorja Daniela Lika. Pas fjalës së mirëseardhjes nga Profesori i Departamentit të Ekonomiksit Prof. Ass. Dr. Nagip Skenderi, studentët u njohën me ambientet e Fakultetit Ekonomik të UP-së dhe mësuan mbi historikun dhe mënyrën e organizimit të tij. Shkëmbimi i experiencës midis studentëve ishte me mjaft interes për të dy palët.

Më pas, studentët së bashku me përfaqësues të Unionit Studentor të UP-së vizituan Bibliotekën Kombëtare dhe qytetin e Prishtinës, ku u njohën me historinë e vlerat e këtij qyteti të mrekullueshëm. Vizita vijoi në Memorialin e Adem Jasharit, ku studentët u njohën me historinë e familjes Jashari. Në kthim grupi u ndal në Qytetin historik të Prizrenit.

Vizita la mbresa shumë të mira, informacione të dobishme dhe çeli dritare të reja bashkëpunimi. Studentët e Universitetit të Prishtinës, u ftuan të marrin pjesë në Konferencën X studentore të Fakultetit të Biznesit, UAMD, ftesë e cila u prit me shumë interes.