DiMTV vizitë studimore në UBT


Projekti i Erasmus+, “DIMTV”  bëri bashkë në Prishtinë, profesorë dhe studentë nga programi “Multimedia dhe TV Digjital” nga Universiteti “Aleksandër Moisiu” dhe udhëheqës e studentë të Universitetit për Biznes dhe Teknologji (UBT).

Ky takim shërbeu si një platformë për zgjerimin e bashkëpunimit në kuadër të projektit, për ndarjen e praktikave të mira të punës, për mundësinë e shkëmbimeve të studentëve, si dhe për nisjen e projekteve të përbashkëta.

 

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi tha se kjo vizitë është vijimësi e krijimit të raportit të mirë mes UBT-së dhe UAMD-së, duke shtuar se bashkëpunimi do të shkojë duke u forcuar.

“Ne si UBT jemi tejet të angazhuar që të krijojmë raport të mirë me institucione ndërkombëtare, por në veçanti me universitetet në Shqipëri, pasi ndjejmë se kemi obligim ndaj qytetarëve të shteteve tona, në aspektin e përmirësimit të cilësisë së arsimit”, theksoi Hajrizi.

Drejtori i Administrimit dhe Shërbimeve Akademike në UAMD, Xhafer Rakipllari prezantoi programet e studimit, risitë infrastrukturore dhe projektet e ndërkombëtarizimit të universitetit. Ai vlerësoi mikpritjen e UBT-së dhe tha se bashkëpunimi ndërinstitucional do të jetë dobiprurës më së shumti për studentët.

Delegacioni nga UAMD kreu njënvizitë edhe në Kampusin Inovativ të UBT-së, në Lipjan, ku panë infrastrukturën, laboratorët e të gjitha fushave, duke u fokusuar tek ata të teknologjisë informative dhe multimedias, librarinë dhe hapësirat e tjera që shfrytëzohen nga studentët e UBT-së.