Forum mbi abuzimet me burimet shtetërore në fushatën elektorale


Instituti i Studimeve Politike (ISP) në bashkëpunim me Universitetin “Aleksandër Moisiu” organizoi një debat publik me studentët e Fakultetit të Drejtësisë dhe Shkencave Politike, mbi problematikat e përdorimit të burimeve shtetërore në fushatat elektorale në Shqipëri. Aktiviteti u bë në kuadër të  projektit “Për zgjedhje të ndershme: Të ndalojmë shpërdorimin e burimeve shtetërore”, i cili realizohet nga ISP me mbështetjen e  Programit të USAID-it në Shqipëri (ACDC – Zhvillimi dhe Bashkëpunimi i Përshpejtuar i Shoqërisë Civile). Studentët u njohën me problematikat kryesore të praktikave të deritanishme shqiptare të përdorimit të burimeve shtetërore në fushatat elektorale, bazën ligjore dhe modelet perëndimore, si dhe sfidat me të cilat përballet aktualisht vendi në kuadër të zgjedhjeve lokale 2019.

ISP prezantoi gjetjet kryesore nga monitorimi i kryer në sjelljen e qeverisë qendrore dhe tri bashkitë, Vlorë, Durrës e Kamzës, ku rezulton se në tërësi ka tendencë të shpërdorimit të burimeve shtetërore në fushatë elektorale, përdorim të burimeve njerëzore dhe financiare shtetërore në funksio0n të fushatës, përdorim të siglave dhe logove partiake në funksion të fushatës, si dhe elementë abuzues në punimet para-elektorale, në investimet me sfond elektoral, në diskriminim politik të zonave apo në raste të shumta të përdorimit të administratës në funksion të agjendave partiake paraelektorale.

Takimi u përshëndet nga zv/rektori i UAMD Prof. As. Dr.  Lavdosh Ahmetaj, i cili ftoi të rinjtë të jenë më aktiv në sfidat për zbatimin e standardeve më të larta të demokracisë, Prof. As. Dr. Andon Kume dekan në FSHPJ dhe ekspert zgjedhor, si dhe Prof. Ervin Karamuço, ekspert i zgjedhjeve dhe i të drejtës administrative. Secili nga folësit solli përvoja dhe bëri vlerësime mbi problematika zgjedhore të keqpërdorimit të burimeve shtetërore në fushata elektorale, si dhe nxiti të rinjtë studentë të angazhohen në monitorimin aktiv të fushatave, partive, institucioneve përfaqësuese dhe në forcimin e kulturës së ligjit dhe në jetësimin e elementëve të munguar të demokracisë funksionale në Shqipëri. Studentët dhe ekspertët diskutuan më pas çështje konkrete lidhur me problematikat.