Inaugurohet Laboratori i Multimedias dhe Studio Audio-Video


Të mërkurën, më datë 3 prill, Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës (UAMD) inauguroi dy investime të mëdha të bëra në fushën e Multimedias & TV Digjital, laboratorin bashkëkohor të Multimedias dhe studion audio-vizive. Investimet e ndërmarra janë në kuadër të projektit Erasmus+: “Zhvillimi dhe zbatimi i kurrikulës së Multimedias dhe TV Digjital”.

Në inaugurim, përveç udhëheqësisë së UAMD-së morën pjesë edhe z. Sami Neza, Nënkryetar i Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), znj. Aida Breti, Drejtoreshë e Zyrës së Erasmus Plus për Shqipërinë, Z. Florian Tahiri, zv  kryetar i Bashkisë së Durrësit etj.

Në fjalën e saj të mirëseardhjes, Rektori i UAMD-së, Prof. Dr. Kseanela Sotirofski falenderoi organizatorët dhe u shpreh se “ky projekt unik (DIMTV) është shenjë e qartë që UAMD i ka kapacitetet, partnerët dhe pret të drejtojë edhe projekte të tjera të tilla ndërkombëtare”.

“Me projektin kemi përmirësuar kurrikulën Bachelor në Multimedia & TV Digjital. Po ashtu edhe atë Master në tre profile: Produksion – Post Produksion, Animim 3D dhe Përpunim Imazhi. Do të plotësojmë hendekun që ekziston midis kërkesës së tregut dhe ofertës për të gjitha specialitetet në këtë drejtim”, theksoi ajo.

Për Dekanen e Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit, Prof. As. Dr. Lindita Mukli, “programi i Multimedias është i veçantë dhe i suksesshëm”. “Po punojmë bashkarisht që pajisjet e studios të përdoren jo vetëm për pjesën mësimore, por edhe atë praktike dhe përtej. Programi i Multimedias do të promovohet siç duhet dhe do të tërheqë studentë edhe më të suksesshëm”, deklaroi znj. Mukli.

Më pas fjalën e morën të ftuarit. Nënkryetari i AMA-s, z. Sami Neza, i përgëzoi drejtuesit e Universitetin për suksesin e arritur në projekt dhe tha se “studio e programit të Multimedias ngjan me një studio të mirëfilltë televizive”.

Florian Tahiri, zv. Kryetar i Bashkisë së Durrësit, shprehu kënaqësinë që Universiteti ka arritur në këto nivele duke u shndërruar në një aset të rëndësishëm i qytetit.

Aida Breti, Drejtoreshë e Zyrës së Erasmus Plus, theksoi se projekti i Multimedias gërsheton shumë mirë partneritetin e botës akademike me sipërmërmarrjen dhe median, si dhe u shpreh e bindur se UAMD-ja ka kapacitetet e duhura për  të qenë lider në projekte të tjera të rëndëishme ndërkombëtare.

Koordinatorja e projektit, Dr. Albana Halili tërhoqi vëmendjen duke thënë se “tanimë ka ardhur koha që universiteti të shohë vazhdimësinë e projektit”. “Për të çuar këtë projekt hapa të tjerë përpara, kemi aplikuar në një tjetër projekt për përmirësimin e kurrikulave përmes përdorimit të teknologjive virtuale në mësimdhënie”.

Me mbështetjen bujare të Bashkimit Europian UAMD synon të plotësojë hendekun që ekziston midis kërkesës së tregut dhe ofertës për specialitetet në këtë drejtim. Falenderojmë të gjithë pjesëmarrësit që na nderuan me praninë e tyre.

Projekti “Zhvillimi dhe zbatimi i kurrikulës së multimedias dhe televizonit digjital – DIMTV” koordinohet  nga Universiteti “Aleksandër Moisiu” dhe zbatohet në partneritet me Universitetin e Lubjanës, Universitetin e Tartusë, Universitetin Teknik të Ostravës, Universitetin Epoka, Universitetin e Prishtinës, Universitetin për Biznes dhe Teknologji të Prishtinës dhe Radio Televizionin Shqiptar.

 

 

 

.