“Studimet Profesionale dhe Tregu i Punës”, ekspertë nga Europa konferencë në UAMD


Në datat 4-5 prill zhvilloi punimet Konferenca II Shkencore Ndërkombëtare “Studimet Profesionale dhe Tregu i Punës”, organizuar nga Fakulteti i Studimeve Profesionale (FSP) në Universitetin “Aleksandër Moisiu”.

Në këtë aktivitet shkencor morën pjesë profesionistë nga Shqipëria, Rajoni dhe disa vende të Europës.

Në fjalën e saj të mirëseardhjes, Rektori i Universitetit “Aleksandër Moisiu”, Prof. Dr. Kseanela Sotirofski, falenderoi organizatorët për punën e shkëlqyer në përgatitjen e kësaj konference. “Kërkimi shkencor ndërdisiplinor është domosdoshmëri për kërkuesit e rinj shkencorë. Konferenca e sotme është e tillë ndaj përbën një model për t’u ndjekur”, u shpreh ndër të tjera ajo.

Për Dekanin e Fakulitetit të Studimeve Profesionale, Prof. As. Dr. Osman Metalla, kjo konferencë është tregues i lidershipit të UAMD-së në studimet profesionale.

“UAMD është lider në studimet profesionale në vend. Bashkëpunimi i FSP-së me tregun e punës është i shkëlqyer. Ne punojmë vazhdimisht për të ofruar shërbim cilësor për studentët dhe përmirësuar kurrikulat”, theksoi ai.

Nga të ftuarit e nderit, fjalën e mori Rektori i Universitetit për Biznes dhe Teknologji në Prishtinë, Prof. Dr. Edmond Hajrizi. “Partneriti rajonal dhe ndërkombëtar është i rëndësishëm për universitetet tona. Të bashkojmë resurset me UAMD-në për t’u angazhuar në projekte ndërkombëtare, por edhe për të ofruar edukim më cilësor”, shtoi ai.

Në ditën e dytë të konferencës Departamenti i Shkencave Mjekësore Teknike në UAMD organizoi një Seminar Ndërkombëtar mbi Kujdesin Paliativ, një fushë ku Shqipëria ka ende nevojë të përmirësohet.