UAMD Marrëveshje Bashkëpunimi me Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj


Ditën e premte, më datë 12 prill 2019, Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës (UAMD), mirëpriti në ambientet e Rektoratit një përfaqësi nga Universiteti Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (USHAF), të kryesuar nga rektori Prof. Dr. Agron Bajraktari. Ceremoninë e nënshkrimit e nderoi me praninë e tij edhe Ambasadori i Kosovës në Tiranë SH.T. Z. Sylë Ukshini.

Aktivitetit i shtuan hijeshi 150 studentë të USHAF, si dhe Këshilli Studentor i UAMD-së. Studentët e dy universiteteve u njohën me njëri-tjetrin, por edhe programet e studimit dhe risitë infrastrukturore dhe teknologjike që UAMD ofron.

Rektori i UAMD-së, Prof. Dr. Kseanela Sotorifski përshëndeti përfaqësuesit e UShAF-it dhe e cilësoi këtë takim si një pikënisje për diskutime konkrete dhe projekte të përbashkëta.

“20 vjet më parë 1 milionë shqiptarë të Kosovës u larguan me dhunë nga shtëpitë e tyre. Ju jeni fëmijët e asaj periudhe të vështirë. Energjia dhe idealizmi juaj janë oguri më i mirë për një shtet të fortë e të zhvilluar. Ju premtoj se do të shtojmë bashkëpunimin me institucionet arsimore në Kosovë, do të shkëmbejmë me ta përvojat më të mira dhe do ta kemi përherë derën e çelur për studentët nga këto treva”, u shpreh znj. Rektore.

Për Rektorin e USHAF, Prof. Dr. Agron Bajraktari, marrëveshja me UAMD-në, në 20 vjetorin e shtegtimit të madh të shqiptarëve tën Kosovës dhe mikprijen vëllazore të shqiptarëve këndej kufiri, është shumë domedhënëse.  “Jemi Universiteti i vetëm në Kosovë i specializuar në Shkenca të Aplikuara. Mendojmë se me Universitetin e Durrësit mund të bashkëpunojmë shumë mirë në degët e teknologjisë dhe ato të studimeve profesionale”, theksoi ai.

Në fjalën e tij, Ambasadori i Kosovës përshëndeti këtë nismë të dy Universiteteve. “Durrësi është dritarja e Perëndimit për Shqiptarët. Kjo marrëveshje vjen në një moment historik, në 20 vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s. Në Shqipëri gjetëm vëllazëri. Kjo ishte një pikë kthese për afrimin e dy pjesëve të ndara të kombit tonë. Marrëveshje të tilla janë të rëndësishme për të tejkaluar sfidat e përbashkëta të së ardhmes”, u shpreh ai ai.

Në aktivitet fjalën e morën edhe dy përfaqësuese të Këshillave Studentorë nga UAMD dhe USHAF, Edona dhe Arbnora.  Të dyja studentët u shprehën të emocionuara dhe theksuan nevojën që studentët në Kosovë dhe Shqipëri kanë për të shkëmbyer përvojat e tyre. “Vetëm kështu do ta njohim dhe duam më shumë njëri-tjetrin”, u shprehën njëzëri ato.

Gjatë takimit palët shqyrtuan mundësinë e shkëmbimit të personelit akademik dhe të kërkuesve shkencorë, zhvillimin e veprimtarisë së kërkimit shkencor dhe realizimin e projekteve të përbashkëta, duke u bazuar në eksperiencën më të mirë të UAMD-së si koordinator dhe partner në disa projekte Capacity Building. Një tjetër objektiv i marrëveshjes ishte dhe organizimi i shkollave verore për studentët.

Në fund të takimit, Rektorët nënshkruan Marrëveshjen e Bashkëpunimit dhe premtuan impenjim të menjëhershëm për vazhdimësinë e bashkëpunimit institucional.