Ekspertja nga Gjermania, lektore e ftuar në FASTIP


E ftuar në auditorët e Fakultetit të Studimeve të Integruara me Praktikën (FASTIP) është znj. Denada Prifti, shtetase gjermane dhe shqiptare me një eksperiencë të pasur dhe të gjatë në bankat dhe menaxhimin e riskut.

Znj. Prifti është drejtuese e një departamenti tek Bordi i Përbashkët i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme, ku së bashku me një skuadër prej rreth 20 ekspertësh është përgjegjëse për zgjidhjen e jashtëzakonshme të bankave sinjifikante (sistemike) në Gjermani, Maltë dhe vendet Balltike. Znj. Prifti ka drejtuar inspektimet e praktikave të manaxhimit të riskut në bankat e mëdha private gjermane, brenda dhe jashtë Gjermanisë. Me fillimin e krizës financiare në 2007/2008 Znj. Prifti punoi si administratore e lartë në Ministrinë e Financave në Gjermani për zhvillimin e reformës dhe tregut financiar. Gjatë kësaj periudhe, ajo perfaqësoi Gjermaninë në grupe të ndryshme ndërkombëtare pune. Më pas, ajo u ftua si eksperte pranë Komunitetetit Europian, ku punoi në fushën e sigurimit të aseteve, likuiditetit dhe kufizimin e borxheve të bankave.

Nga 2015 deri më 2018, znj. Prifti ishte anëtare e Këshillit Mbikqyrës se Bankës së Shqiperisë si dhe anëtare e Komitetit të Auditimit.

Znj. Prifti ka mbojtur Master për Statistikën e Tregjeve Financiare në Universitetin Humboldt si dhe një Diplomë për Ekonomi me fokusim në ekonometri prane Universitetit të Pavarur në Berlin. Më parë ajo ka mbaruar studimet në Informatike në Universitetin e Tiranës.