Organizohet në UAMD workshop-i mbi historikun e BE-së


Në kuadër të nismës “E-Citizens, Albania in Europe” u mbajt në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës (UAMD) workshop-i me temë “Historia e Bashkimit Europian”, organizuar nga Rrjeti AS@N në bashkëpunim me Shoqatën e Konsujve të Nderit në Shqipëri.

Në fjalën përshëndetëse, Z. Xhafer Rakipllari, Drejtor i Administrimit dhe Shërbimeve Akademike në UAMD, theksoi nevojën e organizimit të takimeve të tilla, që i ndihmojnë studentët jo vetëm të njihen me Bashkimin Europian, po edhe t’i qasen idesë së Unionit në mënyrë kritike. “BE është një histori njerëzish, institucionesh, por mbi të gjitha është historia e vlerave që çuan në krijimin e një bashkimi më të fortë mes evropianëve”, deklaroi ai. Ai iu bëri thirrje studentëve të frekuentojnë EU Info Center, pjesë e Bibliotekës së UAMD-së, ku gjenden të gjitha publikimet zyrtare të Unionit.

Znj. Edlira Çepani, Drejtuese e Rrjetit AS@N, falenderoi Universitetin për mikpritjen dhe mbështetjen e vazhdueshme të nismave të tilla. “E-Citizens for Europe” vjen nga vetë kërkesat rinore. Përmes saj ne synojmë njohjen e e qytetarisë dhe vlerave europiane, për t’i bërë të rinjtë katalizatorë të një Shqipërie të te”, u shpreh ajo.

Historiani Pëllumb Xhufi, në prezantimin e tij bëri një skicë të shkurtër të Europës së Bashkuar si ide dhe si aksion politik. “Arritjet e BE-së janë të mëdha, por edhe sfidat që Unioni has po ashtu. Një ndër to është padyshim unifikimi i politikës së jashtme të BE-së”, u shpreh ai.

Z. Erion Kristo i njohu të pranishmit me institucionet e BE-së, funksionet e tyre, si dhe u ndal në parimet e këtij organizmi. Ai iu bëri thirrje të rinjve të qëndrojnë në Shqipëri sepse me përshpejtimin e procesit të integrimit, e ardhmja e tyre në vend do të jetë më e mirë.

Në pritje të aktivitetit të radhës në datë 17 maj, workshop-i u mbyll me një “quiz” dhe pyetjet e studentëve.