Çelet në UAMD ekspozita e studentes Klara Bushi


Toka ka muzike për ata që dëgjojnë… Kështu shprehej në një nga pikturat e saj studentja e talentuar e Departamentit të Administratës Publike, Klara Bushi. Për të mbështetur punën e saj krijuese, por edhe për ta motivuar atë dhe studentët e tjerë, më datë 6 qershor, 2019, në Fakultetin e Shkencave Politike-Juridike, u organizua një ekspozitë me piktura.

Në fjalën përshëndetëse, Drejtori i Administrimit dhe Shërbimeve Akademike në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, z. Xhafer Rakipllari, u shpreh se “shpeshherë, ne, nuk shquajmë dot suksesin e studentëve tanë deri se të na konfirmohet vlera e tyre artistike”. Ai theksoi se në krijimtarinë e Klarës meritojnë vlerësime tematikat dhe mesazhet e përcjella nga autorja, si dhe i mëshoi rëndësisë që kanë këto aktivitete për të motivuar studentët për të shpërfaqur prirjet e tyre.

Për pedagogen Prof. As. Dr. Briseida Mema, e cila e zbuloi talentin e Klarës në lëndën “E folura në publik”, “vizatimet e Klarës janë delikate, me laps, në bardh e zi, por kanë shpirt e mendim”.

Përgjegjësja e Departamentit të Administrimit Publik, Prof. As. Dr. Gentiana Kraja vlerësoi se “bashkëpunimi i vazhdueshëm me studentët, monitorimi dhe motivimi i tyre, janë të rëndësishëm për departamentin”.

Kjo është ekspozita e tretë që organizohet në Universitetin “Aleksandër Moisiu” gjatë këtij viti akademik.