Rezoluta 1325, të drejtat e grave diskutohen në UAMD


Shoqata “Gratë, Paqe, Siguri”, në bashkëpunim me Fakultetin e Edukimit, organizuan një fushatë ndërgjegjësuese me studentë dhe gra në fushën e sigurisë dhe paqes. Aktiviteti u organizua  në kuadër të zbatimit të Projektit “Rezoluta 1325, për të drejtat e grave, nga koncepti në realitetin shqiptar”, financuar nga UN Women, Fondi per Barazine Gjinore.

Në fjalën e saj të mirëseardhjes, znj. Dekane e Fakultetit të Edukimit, Prof. As. Dr. Griselda Abazaj, falenderoi zonjat që organizuan këtë aktivitet për të drejtat e grave në Shqipëri parë nga këndvështrimi i Rezolutës 1325 së Kombeve të Bashkuara.

“Aktivitete të tilla na angazhojnë më së pari ne, pedagogët e akademinë, por edhe edhe aktorët e shoqërisë civile, për të mundësuar sigurimin e të drejtave të grave në fushën e paqes dhe sigurisë. UAMD është një shembull i mirë sesi 70 përqind e stafit, duke nisur nga znj. Rektore, përbëhet nga gra profesioniste që mbajnë poste nga më të rëndësishmet”, deklaroi ndër të tjera znj. Dekane.

Në takim mbajtën fjalë përfaqësues të Shoqatës “Gratë, Siguria, Paqja”, të medias si dhe përfaqësues të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës. Të ftuarit diskutuan me studentët mbi mënyrat e luftimit të prapambetjes dhe ekstremizmave, si dhe udhët e promovimit në karrierë të grave.

Shoqata “Gratë, Paqe e Siguri”, është një organizatë jofitimprurëse që vepron në qytetin e Durrësit. Ajo synon të promovojë barazinë gjinore në shoqëri dhe të mbrojë të drejtat e grave të margjinalizuara në këtë rajon dhe në përgjithësi të vendit. Dhuna në familje, barazia gjinore, pjesëmarrja aktive e grave në vendimmarrje, si dhe integrimi i komuniteteve të margjinalizuara të zonave joformale në shoqërinë kryesore, janë çështjet kryesore që ajo trajton.