Rrjeti Alumni UAMD/ Çmim karriere për të suksesshmit e dalë nga auditorët


Nën moton “Fillon këtu, shkon kudo!”, në datë 7 qershor, 2019, në ambientet e Kampusit Universitar në Spitallë u zhvillua takimi i parë i Rrjetit Alumni të Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës (UAMD).

Duke qenë se në qendër të filozofisë së UAMD-s është studenti, qëllimi i ritakimit dhe mbledhjes së bashku të ish-studentëve, ishte jo vetëm ndarja e përvojave dhe arritjeve të tyre profesionale, por edhe krijimi i urave lidhëse midis universitetit dhe tregut të punës.

Pjesë e takimit të sotëm ishin znj. Rektore Prof.Dr. Kseanela Sotirofski; zv. Rektorët Prof. Dr. Lekë Sokoli dhe Prof. As. Dr. Elton Noti; dekanët Prof. As. Dr. Osman Metalla, Prof. As. Dr. Azeta Tartaraj, Prof. As. Dr. Griselda Abazaj; Drejtori i Administrimit dhe Shërbimeve Akademike z. Xhafer Rakipllari, si dhe ish-studentë të UAMD-së.

Rektorja Sotirofski u shpreh e ngazëllyer të shihte gjithnjë e më shumë alumni që përfshihen në fatet e universitetit, të marrin pjesë në konferenca, të shndërrohen në mentorë të studentëve aktualë dhe t’i ndihmojnë ata me përvojën dhe ekspertizën e tyre.

“Falë punës që zhvilloni aty ku jeni, UAMD sot jep kontribut kryesor për sfidat arsimore që po has vendi, ato sociale, mjedisore, ekonomike. Si një ndër Universitetitet më të mirë, ne gjykojmë që kemi përgjegjësinë për të shpënë përpara vendin në çdo drejtim”, u shpreh ndër të tjera ajo.

Një vend të veçantë në takim zunë dëshmitë e alumni-t, të cilët theksuan rëndësinë dhe impaktin që ka sot diploma e UAMD-së në tregun e punës, ndërsa e konsideruan ribashkimin e UAMD-s një vlerë të shtuar.

Në takimin e parë të Rrjetit Alumni UAMD u nominuan 7 raste të sukseshme të të diplomuarve, të cilët u votuan nga vetë kolegët e tyre për “Çmimin e Karrierës”. Fituesi i parë i këtij çmimi u shpall znj. Dalina Beshiri, ish-studente e Fakultetit të Edukimit. Prej vitit 2010 znj. Beshiri punon me përkushtim në arsim, ku aktualisht mban postin e nën drejtoreshës së Shkollës “Mihal Ekonomi”. Ajo është mjaft aktive në komunitet duke rënë në sy për lidershipin në arsim, përpjekjen për kapërcimin e sfidave të arsimit parauniversitar,  apo përfshirjen e mësimdhënies së kombinuar (Blended Learning) në shkolla.

Të nominuarit e tjerë për “Çmimin e Karrierës” ishin:

Xhudiljana Pole

Znj. Xhudiljana Pole ka qenë një ndër studentet ekselentë të brezit të saj. Ka përfunduar studimet në degën Menaxhim Hoteleri-Turizëm në Fakultetin e Studimeve të Integruara me Praktikën dhe 8 vitesh punon në Harmonia Hotels Group. Për shkak të arritjeve të saj të shkëlqyera në këtë grup hoteliere, ajo është emëruar në postin e menaxheres.

Hekuran Islamaj

Z. Hekuran Islamaj është diplomuar në degën Sisteme Informacioni pranë Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit. Që student është angazhuar si IT support për disa biznese në qytetin e Durrësit. Më pas Hekurani nisi karrierën si Softëare developer. Aktualisht punon si programues në një kompani italiane, ku ka mundësi të shprehë aftësitë e tij në organizimin dhe menaxhimin e projekteve. Gjithashtu Hekurani bashkëpunon me disa kompani në fushën e zhvillimit të softëare dhe aplikacioneve mobile.

Leida Matja

Znj. Leida Matja është anëtare e Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës. Që nga viti 2014 mban gradën shkencore Doktor i Shkencave Ekonomike, nga Universiteti “Aleksandër Moisiu”. Znj. Matja ka punuar për Bankën Gjermane për Rindërtim si konsulente ekonomike. Ka qenë Drejtuese e një Projekti të USAID, me anë të të cilit është bërë i mundur implementimi i 11 programeve për sipërmarrjen në të gjithë Shqipërinë. Znj. Matja është anëtare e Bordit të Shoqatës së Konsulentëve të Shqipërisë. Ajo ka qenë Presidente e Shoqatës së Turizmit Shqiptar, si dhe anëtare e Bordit dhe bashkëpunëtore e Shoqatës së Grave Profesioniste, Afariste dhe Artizane, si dhe e Biznes Albania. Znj. Matja ka një bashkëpunim me shumë organizata të huaja si: UNDP, EBRD, ETF, etj, ku ka kontribuar me studime, vrojtime e konsulenca.

Irena Myzeqari 

Znj. Myzeqari ka mbaruar studimet BA, në universitetin “Aleksandër Moisiu”, Durrës, për Gjuhë Angleze, interesat e saj shkencore u fokusuan në studimin e teorive të komunikimit, analizës së ligjerimit dhe medias. Ajo ka mbaruar studimet doktorale në Shkencat e Komunikimit dhe punon si lektore në Universitetin Europian të Tiranës. Znj. Myzeqaru ka një eksperience 8 vjeçare në mësimdhënie dhe prej vitit 2015 është eksperte e jashtme vlerësimi, në Departamentin e Administratës Publike. Ajo ka qenë pjesë e një sërë projektesh ndërkombëtare si projekti CONSUS, si hartuese modeli mësimor; pjesë e projektit COST Action “Neë Exploratory Phase in Research on East European Cultures of Dissent”. Momentalisht është e angazhuar në një projekt rajonal mbi Edukimin mbi Median dhe Lajmin, udhëhequr nga EAVI Media Literacy for Citizenship.

Valeria Bardhaj 

Znj. Valeria Bardhaj është diplomuar në Fakultetin e Biznesit. Aktualisht punon në Kabinetin e Ministres së Drejtësisë ku mbulon çështjet e eventeve dhe protokollit. Valeria ka punuar gjithashtu në Kabinetin e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, si dhe ka qenë pjesë e ekipit të Medias dhe Komunikimit në Ministrinë e Brendshme. Ka kryer një sërë trajnimesh dhe specializimesh brenda dhe jashtë vendit për çështjet e sigurisë, medias dhe menaxhimit politik. Për disa vite është angazhuar si pedagoge e jashtme në Fakultetin e Hetimit të Krimit, pranë Akademisë së Sigurisë. Po ashtu znj.Bardhaj është shqiptarja e parë pjesë e Stafit Drejtues në ushtrimet e simuluara të organizuara nga NATO.

Amanda Tase

Znj. Amanda Tase është një ndër të diplomuarit më të suksesshëm në historikun e Fakultetit të Studimeve të Integruara me Praktikën (FASTIP). Gjatë studimeve të saj në këtë fakultet ajo është mbështetur financiarisht nga Banka Credins. Që pas diplomimit si studentja më e mirë e vitit 2013, Armanda punon në kompaninë Local Eyes Albania ku mban pozicionin e Senior Group Finance Specialist.

Në fund të takimit pjesëmarrësit u informuan se në muajin muajin tetor do të realizohen zgjedhjet për Bordin Drejtues të Rrjetit Alumni UAMD. Të pranishmit u ftuan të ishin pjesë dhe të jepnin kontibutin e tyre në këtë proces.

UAMD beson se ish-studentët janë imazhi më i mirë i Universitetit. Janë ata që gjenerojnë ide dhe projekte të reja, dhe që do ndihmojnë për lidhjen e mëtejshme të UAMD-së me tregun e punës.